Reagimi i të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në lidhje me reciprocitetin e lajmëruar nga ana e Albin Kurtit në marrëdhëniet me Serbinë, ka nxitur debate në rajon.
E fundit që pati një reagim në lidhje me këtë çështje, ishte Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cila kërkoi që qeveria e Kosovës të heq taksën ndaj mallrave serbe, si dhe të zbatojë porosinë e Richard Grenell për sa i përket mos zbatimi të parimit të reciprocitetit.
Por nuk është i këtij mendimi, studiuesi i njohur i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Daniel Serwer, i cili në një reagim ekskluziv për gazetën “Shekulli”, thekson se, Albin Kurti ka të drejtë në këtë iniciativë.
“Reciprociteti është një element vital në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Z. Grenell, i cili nuk ka eksperiencë në diplomaci, ndoshta nuk është në dijeni të këtij fakti. Albini ka të drejtë”, shprehet Z. Serwer.
Sa i takon reciprocitetit me Serbinë në planin politik, tregtar dhe ekonomik, z.Kurti ka deklaruar: “Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.”
Kujtojmë që sot, zëdhënësi i Grenell-it, Dick Custin, tha për REL se “Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet”. “Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin.