“Duam që pjesa kryesore e qytetit të jetë funksionale si për biznesin, ashtu edhe si e tillë të ngelë shëtitore”, tha kryetari Duka gjatë prezantimit të projektit për shëtitoren e Dibrës
Vjollca SADIKU
Dibër, 13 shkurt -Vetëm tre vite pas realizimit të tërësishëm të projektit për shëtitoren e Dibrës, pushteti vendor dhe pronarët e dyqaneve paralajmërojnë ndryshime në rrugën kryesore të qytetit. Në organizim të pushtetit vendor, në Dibër u mbajt prezantimi i planit ideor për shëtitoren në Dibër. Bëhet fjalë për një aktivitet që e propozon Komuna Dibër me qëllim që të bëjë renovimin e shëtitores kryesore të qytetit, e cila para tre vite u pllakëzua dhe faktikisht ndryshoi pjesën qëndrore të qytetit. Kryetari i Komunës, Hekuran Duka, në prezantimin ideor tha se koha tregoi që kjo pjesë qendrore e qytetit duhet të jetë më funksionale.
“Duam që pjesa kryesore e qytetit të jetë funksionale si për biznesin, ashtu edhe si e tillë të ngelë shëtitore”, tha Duka. Duke prezantuar projektin ideor, arkitekti Bujar Muça theksoi se ideja në këtë projekt është që të përmirësohet funksionimi i biznesit në rrugën kryesore, por njëkohësisht kjo rrugë të jetë sikur ka qenë – edhe shëtitore. Në këtë rrugë, e cila ka një gjatësi prej 270 metrash, ka 79 dyqane ku realizohen aktivitete të ndryshme të tregtarëve dhe të zanatçinjve. Muça shtoi se kërkesa e pushtetit vendor ka për qëllim që këtë pjesë të qytetit ta mbajë si shëtitore, por njëkohësisht edhe si biznes-qendër, ku do të funksionojnë pa probleme si tregtarët, ashtu edhe zanatçinjtë. Ai sqaroi se me projektin në fjalë jepen dy variante në lidhje me parkimin e automjeteve. Varianti i parë, siç shpjegoi Muça, mundësojnë parkimin e 33 automjeteve, kurse i dyti diçka më shumë se 50. Duke komentuar numrin e parkingjeve, autor i projektit ideor shtoi se sa më pak parkingje, aq më shumë jepet mundësi për funksionimin e shëtitores, meqë ky është vendi kryesor i qytetit ku në orët e mbrëmjes prezent janë qytetarët.
Në këtë prezantim të pranishëm ishin pothuajse të gjithë pronarët të dyqaneve në pjesën qendrore të Dibrës, të cilët theksuan se kanë patur shumë dëme materiale, meqë kjo pjesë e qytetit pas pllakëzimit, nuk mundëson parkimin e automjeteve, gjë që sipas tyre, drejtpërdrejt ndikon në uljen e punës të dyqaneve. Disa nga pronarët e dyqaneve theksuan se për shkak të mënyrës së realizimit të projektit të mëparshëm, parkimi i automjeteve nuk është i lejuar, ndërsa dukshëm është ulur xhiroja tregtare edhe atë në të gjitha dyqanet.
Dyqanxhinjët janë të mendimit se patjetër duhet të ketë mundësi për parking, me qëllim që të kthehet biznesi në këtë pjesë të qytetit. Një pjesë ishin të mendimit se prerja e drunjve në shëtitoren që u bë para tre viteve dëmtoi dukshëm karakterin e rrugës kryesore. Faktikisht, në debat u përkrah ideja që të bëhet rekonstruimi i rrugës kryesore. Të pranishmit kërkuan që ky projekt mos zvarritet dhe të realizohet sa më parë. Në fund të debatit, kryetari Hekuran Duka theksoi se debati rreth projektit do të vazhdojë dhe në fund ai do të realizohet në pajtueshmëri me interesat të pronarëve të dyqaneve, por edhe në interesin e mbarë qytetarëve dibran. (koha.mk)