Sivjet na presin edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare që si zakonisht – edhe ngadalësojnë ekonominë, ndërkohë që afaristët janë në pritje e sipër të formimit të Qeverisë së re dhe hapave që ajo do të ndërmerr në fushën e ekonomisë dhe biznesit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 janar – Maqedonia këtë vit e pret me një buxhet të madh prej 3.9 miliardë euro, me parashikime për një rritje ekonomike prej 3.8 për qind, anëtarësim në NATO dhe qartësimin e rrugës më të shpejtë apo më të ngadalshme evropiane. Njëherësh, 45 mijë punëtorë në shtet kanë filluar të marrin paga më të larta në mesatare për 4100 denarë. Afaristët për këtë hap janë stimuluar nga shteti përmes subvencioneve të vlefshme 39 milionë euro që kanë nxitur rritjen e pagave prej 600 deri 6000 denarë, shkruan gazeta KOHA.
Sivjet na presin edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare që si zakonisht – edhe ngadalësojnë ekonominë për shkak të kufizimeve të realizimit të tenderëve dhe lejeve të ndryshme për biznesin. Afaristët janë në pritje e sipër edhe të formimit të Qeverisë së re dhe hapave që ajo do të ndërmerr në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Në pritje do të jemi edhe të realizimit maksimal të investimeve kapitale në vlerë prej 380 milionë euro, apo të mbështetjes më të madhe të ndërtimtarisë ndaj rritjes ekonomike. Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se nevojitet një angazhim më i madh i aktorëve të ndryshëm në skenën politike të vendit me qëllim që mospajtimet në nivelin e politikës ditore, të mos ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe punën e përditshme të biznesit.
“Të gjithë faktorët në shtet nevojitet të punojnë më shumë në uljen në minimum të polarizimit të shoqërisë në përgjithësi. Njëherazi, biznesit por edhe qytetarëve i nevojitet një fushatë pozitive në zgjedhjet e ardhshme, me qëllim që të zvogëlohen sa më shumë mospajtimet e politikës ditore, të gjendet një kompromis për çështjet kryesore të prosperitetit të përgjithshëm dhe përkushtimit për një rritje më të madhe ekonomike”, thotë kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike, Daniela Arsovska. Sipas saj, në të kaluarën është dëshmuar se premtimet parazgjedhore pak janë realizuar në praktikë, ndërsa biznesit nuk i ndihmon as ndryshimi i ligjeve pa konsultimin paraprak me afaristët.
“Anulimi i fillimit të negociatave për anëtarësim në BE nuk guxon të jetë shkak për t’u larguar nga rruga e realizimit të reformave të nevojshme strukturore, ndërsa sivjet një nga prioritetet duhet të jetë edhe një angazhim më i madh ndaj ekonomisë informale”, shton më tej ajo. Nga ana tjetër, afaristët presin që zgjedhjet parlamentar të ngadalësojnë ekonominë në vend.
“Nuk ka dilemë se zgjedhjet do të ndikojnë në mënyrë negative në ekonomi, mirëpo biznesi megjithatë jeton nga tregu dhe lufta për konsumatorët dhe jo nga zgjedhjet .Gjithashtu, edhe politikanët duhet të kuptojnë se ekonomia e vendit ka nevojë për një përkrahje më të madhe për të zhvilluar industrinë vendore dhe për të rritur eksportin dhe produktivitetin”, thotë Angel Dimitrov, numri një i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë.
Ndryshe, sfidë për ekzekutivin e ri mbeten edhe përmirësimi i cilësisë së administratës publike ku analizat tregojnë se administrata në Maqedoninë e Veriut është rritur për gati 20 për qind në periudhën 2011-2018, mirëpo rritjen e numrit të saj nuk e ka përcjellë edhe rritja e cilësisë së shërbimeve. Analizat e institutit ekonomik” Fajnens Think” tregojnë rënie apo ulje të produktivitetit për 13 për qind në periudhën e kaluar shtatëvjeçare, përkundër rritjes së punësimeve prej 17.2 për qind si shifra gati të barabarta me punësimet me sektorin privat prej 17.6 për qind në të njëjtën periudhë. Gjithashtu mbeten edhe telashet e vjetra nga vitet e kaluara, ku shumica e qytetarëve të Evropës Juglindore nuk ishte e kënaqur me situatën në shoqëri, ndërsa ndër problemet kryesore kanë theksuar korrupsionin krahas papunësisë.
Se ky problem është ndër brengat kryesore të qytetarëve në Ballkan, e konfirmojnë edhe raportet dhe analizat e ndryshme të institucioneve ndërkombëtare. Bile, në vitet e fundit rritet shqetësimi i tyre për mitmarrjen, tregon Barometri Ballkanik i vitit 2018 që analizon opinionin e qytetarëve për situatën në rajon. Në vitin 2019, edhe pse papunësia vazhdon të shihet si problemi më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet rajoni, interesant është fakti se ikja trurit shihet gjithnjë e më shumë si një sfidë e madhe nga qytetarët e rajonit. Barometri Ballkanik tregon se për 60 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, papunësinë e vendosin si problem më të madh, për 47 për qind është situata e përgjithshme ekonomike, ndërkaq vërehet gjithnjë e më shumë shqetësim për shkak të korrupsionit. Shumica e qytetarëve apo 61 për qind e të anketuarve thanë se ishin të pakënaqur me përpjekjet e qeverive të tyre për të luftuar korrupsionin. (koha.mk)