(Propozim qytetareje, drejtuar edhe Kryetarit të Parlamentit të Republikës Maqedonisë, Z. Talat Xhaferi!) Duke pritur të piqen kushtet, na u kalbën dëshirat! – Faik Konica
Nga Adelina MARKU
Kushtetutën e një shteti i cili fiton të drejtën e mëvetësimit, e mendoj diçka si skelet i cili mban një trup! Trup mishi me jetë, ku harmonia dhe zhvillimi është qëllimi! Bile që i gëzohet jetës së shtetit, shoqërisë ekonomikisht të zhvilluar! Njëkohësisht e kuptoj këtë skelet si fillimisht të vogël, të pafuqishëm ende për të rezistuar idenë për veten të rritur, të shëndoshë! Pastaj dëshirohem t’a zbuloj brendinë që e rrit këtë skelet, brendi kjo shpesh e dobët e kapluar nga ethe e nga frikëra që vijnë me doza frike të thikta – shumë tipike për shtetin ku jetoj: frika nga vdekja ose frika nga humbja e shtetit! Janë ethet që ende i shërojmë nga vakumi i vlerave demokratike që e la si pasojë postkomunizmi! Ndoshta është frikë e arsyeshme , sepse unë psh linda në shtet tjetër për të jetuar në një tjetër, ngase ai ku linda, s’është më! Dhe kjo lloj traume (gëzim për shtet të mëvetësum e njëkohësisht frikë për sendërtim shteti të ri) përsëritet në cikle, cikle, cikle të përhershme sepse përfaqësuesit, të zgjedhurit për të udhëhequr me shtetin/shoqërinë vazhdimisht tërheqin zvarrë vendimin për t’a trajtuar atë si tansi organike të barabartë për të gjithë qytetarët e qytetaret në të. Kjo tërheqje zvarrë që shkakton shtyrjen e vendosjes së vlerave në një kohë tjetër të pacaktuar, njihet si “procrastination” në gjuhën angleze . Ky fenomen i zvarritjes ka denatyruar kuptimin e barazisë së popujve në një shoqëri multikulturalizmi e si pasojë ka ç’balancuar edhe funksionalizmën e institucioneve shtetërore, me ç’rast e ka bërë demokracinë multikulturore të hendikepuar. Diskriminimi si rezultat i denatyrimit të barazisë së popujve shihet të korrigjohet në vijim dhe shpesh ( ose përherë) i është lënë në dorë ndihmave e këshillave nga jashtë! Sepse kemi krijuar dhe do thosha, e jetojmë bindjen se emancipimi i demokracisë liberale vjen për t’u rehatuar e përbrenduar tek ne nga jashtë, nga shtete që kanë emancipuar kuptimin për të edhe përmes ekonomisë, por si nxitësen joekskluzive të emancipimit të shtetit/shoqërisë. Vjen një moshë shteti/shoqërie kur lyp disi t’iu ikë atyre frikërave tip vdekjeje copë-copë. Frika nga vdekja e ngadalshme nevojitet ndërruar me guximin për shëndoshje të ngadalshme. Ky skelet që mban trupmishin me jetë , pra Kushtetuta, pritet të zhvillohet nga kështu brendi e dikur të bëhet tansi e standardizume dhe të jetojë veten me të tjerët përreth! Biles do kisha shtuar, që qytetari/qytetarja dëshiron të jetojë në harmoni , sepse kështu e kanë mësuar të parët, pra harmonia të vijë nga Zoti dhe Vetja (betejat historike) , në mungesë të harmonisë nga Shtëpia të cilën nuk e kish patur me herët.
Ja kështu dozë arti dhe organike i kisha dhënë idesë mbi Kushtetutën! Sepse sa e mbaj mend veten gjallë, është folur për Kushtetutën! Për më shumë në shtëpinë ku linda dhe u rrita flitej shpesh për artin e së drejtës dhe artin e gjuhës së bukur! Kështu e projektuan gjallninë (jetën) e vet prindërit e mi! Të njëjtin projektim e zbarkuan tek ne , pasardhësit e tyre! Në artin e Babës, ky skelet që mban e ushqen mishin e trupit të shoqnisë, pra Kushtetuta , duhej të ishte e Gjallë! Asaj shkolle të së drejtës i takonte Ai. Sepse në artin e Nanës, edhe gjuha është e tillë, e gjallë, që mëton të Çlirojë Jetën e Mendjes së Bukur të një shoqërie! Pra, ata bashkë në mua ndërtuan idenë e Leximit të Gjallë të Kushtetutës përmes Gjuhës së Bukur të Mendjes Njerëzore.
Dakord, deri këtu bukur shumë!
Por , Leximi i Gjallë I Kushtetutës që e predikonte im atë kishte të bënte me konceptin e Wodrow Wilsonit mbi këtë lloj leximi; ai shpjegonte se përkufizimet dhe përshkrimet e Ligjit Kushtetutës të shtetit , pritet të jenë konceptuara në frymën Newton-iane dhe sipas parimit Newton-ian, andaj dhe duhen të jenë mjaft të gjëra dhe elastike për të lejuar kuptimin e shfaqjes së jetës dhe rrethanave . Por ama , kjo nuk do të thotë se dinamika e jetës së shoqërisë do ndikonte keq në stabilitetin e parabolës së Frymës së Kushtetutës, përkundrazi , leximi i saj duhej të ishte parabolik vetë.
Shumë nga profesionistët e Ligjit dhe Kushtetutës mund të mos dakordohen me mësimet e babës tim , gjykatës! Unë e kam të vështirë t’i shkoj më tej këtij mësimi, pasi kam mungesë profesionale në lëminë e shkencave juridike dhe artit të së drejtës, por ama kjo nuk më merr të drejtën që të ndihmoj në sendërtimin e asaj që e mëton një Kushtetutë e Mirë ( që dallon thelbsisht nga Kushtetuta e Mangët) e cila do ishte në shërbim të nevojave të qytetarëve dhe qytetareve në shoqërinë e shtetit ku jetojmë . Pohoj John Stuart Mill-in se demokracia është pothuajse e pamundur në shoqëri me gjuhë dhe grupe etnike të ndryshme , por ama njëkohësisht është e padurueshme që në të , të zhvillohet një jetë në gjendje emergjente vazhdimisht (citoj Arbën Xhaferin). Shoqëria ka nevojë të ulet në kolltukun e rehatisë edhe përmes këtij sfondi larushie etnish e gjuhësh. Kjo ulje ka të bëjë me të ashtuquajturën Një Shoqëri Për të Gjithë – që e dëgjojmë të përdoret së fundmi në diskursin politik. Dhe kjo dëgjesë, që depërtoi me kaq vonesë, është e mirë ! Por kjo Shoqëri për të gjithë kërkon kohë dhe shumë maturi për t’u ndërtuar, kërkon dhe shumë para! A duhemi të presim të piqen kushtet, e të na kalben sërish dëshirat? ( Faik Konica). Mësuam se pritja , zvarritja ( Procrastination) është e dëmshme në të gjitha format e saja, prandaj , një themeltar pararendës është doemosdo tanimë, sidomos kur debatit mbi ndryshimet Kushtetutës nuk duhet t’i qasemi në mënyrën e trashëguar skematike. Dhe në mendimin tim, është një Ngjitës që i mungon kulturës së të shkruarit të Kushtetutës së shtetit tonë . Ky ngjitës ka të bëjë me fjalën “NE”! Nuk zhvillohet multikulturalizëm dhe shoqëri për të gjithë pa e gjetur askund në Kushtetutë këtë fjalë! Fjala “NE” do ishte ngjitësi në Kulturën e Leximit e Shkrimit të Kushtetutës , ndërsa lubrifikanti i saj do ishte kultura qytetare dhe barazia e popujve që jetojnë në atë shoqëri. Çlirimi i shoqërisë për të gjithë ndodh përmes një diskursi të ri të Preambulës së Kushtetutës në mendimin tim! Dhe çdo gjë aty do fillon përmes fjalës “NE”, pasi secili nga NE kupton qartë traditën historike e kulturore të vetën, ndërsa specifikimi etnik ndaras e kategorizmi historik në Preambulë përsëri krijon interpretime manipulative të parehatshme që nuk garantojnë stabilitet në shoqëri. Preambula nevojitet të jetë e thjeshtë, me Gjuhë të Bukur Çliruese, e Gjallë, e Lehtë për t’u kuptuar, për më shumë me forcë burimore centripetiste! Origjinalistët e Preambulës do më kundërshtonin me gjasë , sepse për ta shënimi dhe specifikimi i dikursit historik deri në themelim shteti e në zhvillim të tijin mëpastaj si psh propozimi për Marrëveshjen e Ohrit e të Prespës në të ) qenka “mjeti” që arsyetoka e njëkohësisht ngjitka diskursin qytetar të njëfarë përbashkësie të komuniteteve në një popull dhe këtu dhe kësisoj qasja është e gabuar!
Ja thjeshtësisht si do e propozoja të jetë kjo preambulë e re:
“NE, qytetaret dhe qytetarët e Republikës së (emri ri i shtetit) , të udhëhequr nga principet e shenjta të rilindjes , lirisë , barazisë dhe solidaritetit , nga të drejtat e njeriut dhe nga sundimi i ligjit dhe të vendosur të njëjtat t’i bëjmë të vërteta në shtetin (shoqërinë) tonë , të barabartë në të drejtën dhe obligimet ndaj shtetit (shoqërisë) e miratojmë këtë Kushtetutë të Republikës ( emri i ri i Shtetit)”
Miq e mikesha , preambula nevojitet të jetë një simbolikë e fortë e shprehjes së lirisë , solidaritetit dhe barazisë qytetare ndërsa të drejtat realizohen përmes dispozitave ligjore që dalin nga mishi i Kushtetutës e këtu madje vjen edhe qartësimi dhe saktëzimi i amendamentit V ; pra mjafton që paragrafi i dytë e që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës së dytë në shtet , e që realisht është gjuha shqipe , të pësojë ndryshimin duke filluar kësisoj: “Gjuha shqipe të cilën e flasin të paktën 20 % e qytetarëve , është gjithashtu gjuhë zyrtare ….( deri në fund) “
Dhe për fund , miratimi i një preambule të kësaj narrative dhe fryme , ka të bëjë me synimin për emancipim të shoqërisë dhe mbi çdo gjë kërkon …GUXIM ARISTOKRACIE INTELEKTUALE! Si mendoni, i kemi pjekur kushtet për këtë lloj guximi? Pa nihiliz’m e pa ciniz’m , përgjigja ime është – PO!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)