Sërish bllokohet rruga Tetovë-Kodra e Diellit

Organizatorët e protestës kanë deklaruar se brenda kësaj kohe janë bërë vetëm disa lëvizje të vogla, por asgjë konkrete. Ata kanë përmendur vetëm se Komuna e Tetovës ka filluar të hartojë Planin Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit, i cili është në shqyrtim publik deri më 8 shkurt

Tetovë, 25 janar – Të shtunën (nesër) me fillim në ora 11:00, sërish do të bllokohet rruga Tetovë-Kodra e Diellit, nga ana e iniciativës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”. Protesta e dytë vjen pasi, sipas organizatorëve, nuk është ndërmarrë asgjë konkrete në drejtim të fillim të procesit të përmirësimit së gjendjes në këtë pikë turistike, shkruan gazeta KOHA.

“Protesta e kaluar dha diçka nga efektet, por përsëri ato janë në gjumë, pasi Qeveria nuk i është përgjigjur thirrjes sonë. Ne sërish i bëjmë thirrje Qeverisë që të vijë të vizitojë Kodrën e Diellit, jo vetëm ministrat, por komplet kabineti qeveritar është i mirëseardhur për të parë problematikat me të cilat po ballafaqohet qendra turistike dimërore Kodra e Diellit. Ne vendosëm që përsëri në vendin e njëjtë, në ora 11.00 – tetovarët, qytetarët, të gjithë sportdashësit, dashamirët e Kodrës së Diellit të protestojmë për t’i çuar edhe njëherë porosi Qeverisë dhe përfundimisht ELEM-it, se tashmë vlen slogani ‘ELEMI në falimentim, shpëton Kodrën e Diellit’, pasi edhe vet ministri deklaroi se ELEM-i nuk është në gjendje që të udhëheq me Kodrën e Diellit dhe zëvendësdrejtori i ELEM-it tha që Kodra e Diellit ka humbje prej 25 milionë euro, prandaj ata duhet të dorëzohen dhe të njëjtit të tërhiqen nga menaxhimi me Kodrën e Diellit”, deklaroi Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Organizatorët e protestës kanë deklaruar se brenda kësaj kohe janë bërë vetëm disa lëvizje të vogla, por asgjë konkrete. Ata kanë përmendur vetëm se Komuna e Tetovës ka filluar të hartojë Planin Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit, i cili është në shqyrtim publik deri më 8 shkurt. Sipas Sulejmanit, Qeveria duhet të bëjë hapa konkret që të riaktivizojë teleferikun Tetovë-Kodra e Diellit. Elementi kryesor për të shpëtuar ngulfatjen e asaj që bëhet tani, por edhe Qeveria për të shpëtuar një shpenzim plus tjetër, do të jetë që Teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit të riaktivizohet dhe të vihet në funksion. Por të gjithë e dimë se teleferiku edhe vet nga deklaratat e ELEM-it nuk mund të funksionojë dhe është i vjetër dhe do të duhet që të bëhet teleferiku i ri”, tha Sulejmani. Ai ka përmendur edhe rrugën e dëmtuar Tetovë-Kodra e Diellit.

“Infrastruktura rrugore Tetovë-Kodra e Diellit, edhe pse sipas ministrit të Transportit do të rikostruohet, e njëjta në të vërtetë vetëm do të rehabilitohet apo në vende të caktuara do të intervenohet. Sa i përket infrastrukturës rrugore në Kodrën e Diellit, në lagjen e vikend-shtëpizave, është katastrofale. Kishte një tentim për të marrë mjete nga Banka Botërore për të bërë një investim të përgjithshëm, por kjo dështoi sepse kishte mosmarrëveshje mes pushtetit lokal dhe atij qendror”, theksoi Sulejmani. Sipas iniciativës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” shpëtimi nga kjo gjendje në të cilën ndodhet Kodra e Diellit është që të kërkohet një investitor i huaj. (koha.mk)