Tashmë në këtë vend zhvillohen punimet për rregullimin e kësaj pjese, ndërsa reshjet atmosferike kanë bërë që banorët të hasin në shumë probleme. Ata reagojnë duke nënvizuar se punimet duhet të zhvillohen kur është koha e mirë dhe jo në periudhën e vjeshtës dhe dimrit
Urim HASIPI
Tetovë, 25 nëntor – Banorë të fshatrave të Malësisë së Tetovës kanë reaguar lidhur me punimet që zhvillohen në këtë periudhë në rrugën Shipkovicë-Brodec në dalje të Shipkovicës. Ky vend që gjithnjë është kritik për shkak të rrëshqitjes së dheut, në të kaluarën shpeshherë është bllokuar dhe ka pamundësuar lëvizjen e lirë të banorëve. Tashmë në këtë vend zhvillohen punimet për rregullimin e kësaj pjese, ndërsa reshjet atmosferike kanë bërë që banorët të hasin në shumë probleme. Ata reagojnë duke nënvizuar se punimet duhet të zhvillohen kur është koha e mirë dhe jo në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, shkruan gazeta KOHA. Banorët kanë njoftuar se reshjet e fundit kanë bllokuar këtë aks rrugor duke sjellë me vete shumë mbetje të rërës dhe dheut. Në ndërkohë, nga komuna thonë se punët do të përfundojnë brenda 60 ditëve.
“Kërkojmë mirëkuptim nga ana e banorëve, sepse në atë rrugë është duke u punuar në ndërtimin e urës dhe shpresojmë se brenda 60 ditëve, punët do të përfundojnë”, thotë Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Në një pjesë të kësaj rruge ku edhe kalon një përrua, reshjet sjellin me vete më shumë rërë dhe gjithmonë bllokohet dhe është e pakalueshme.
“Pas të reshurave të shiut dhe të borës në Malësi, rruga nga fshati Shipkovicë në drejtim të fshatit Brodec ka qenë e bllokuar paksa tek ura ku edhe po kryhen punimet në ndërtimin e saj, punime këto të cilat kanë filluar nga ana e komunës pak javë më parë e që projekti përfshinë rregullimin me standarde të urës dhe rrugës që do zgjidhë problemin e lëvizjes në këtë pjesë që ishte dëmtuar si ura, ashtu edhe rruga gjatë vërshimeve të fundit. Mbrëmë, deri në orët e vona të ditës makineria ka punuar intensivisht në vendosjen e gypave nën urë me qëllim që uji të mos dëmtojë dhe bllokojë rrugën, e njëkohësisht pastrimin e shtratit të përroskës që kalon në këtë pjesë të rrugës”, deklaroi Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrës.
Sipas tij, ndërtimi i urës do të kushtojë 100 mijë euro. “Me këtë rast, ura do të jetë me dimensione tetë metra gjatësi dhe pesë metra gjerësi dhe nga gjysëm metër trotuar në të dyja anët. Projekt ky që sapo ka nisur dhe shpresojmë të përfundojmë në një afat sa më të shpejtë kohor, varësisht nga kushtet atmosferike”, tha Nuredini. Ndonëse në përmasa më të vogla kohëve të fundit, megjithatë ky vend është potencial që të ndodhë edhe ndonjë tragjedi më e madhe, sepse vërshimet në këtë zonë janë të mëdha dhe të paparashikueshme. Bllokimet nga prurjet e mëdha deri më tash nuk kanë shkaktuar dëme materiale apo pasoja në njerëz. Përndryshe, më 29 gusht të vitit 2016, u larguan disa shkëmbinj nga afërsia e rrugës, por edhe kjo rezultoi pa sukses, sepse menjëherë pas vërshimeve, e njëjta rrugë u bllokua disa herë, kurse banorët vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje afatgjate. E pikërisht kjo është rruga e vetme që lidh fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë me Tetovën. Tashmë ka një vit që e njëjta është asfaltuar, megjithatë sërish bllokohet sidomos në muajt e pranverës dhe vjeshtës. Pritet që pas përfundimit të punëve, të përmirësohen kjo gjendje. (koha.mk)