Sergio Ramos është larguar për disa orë nga grumbullimi me ekipin kombëtar spanjoll për të asistuar nga afër lindjen e djalit të tij të tretë, Alejandro Ramos Rubio. Ky sebep bëri që kapiteni i Real Madridit të mos ushtrohej në seancën e pasdites me pjesën tjetër të shokëve të “La Roja”. “Me emocion të madh dhe gëzim ne paraqesim Alejandro Ramos Rubio. Ai ka lindur në Palm, të dielën, në orën 18:24 dhe peshonte 3.1 kilogramë”, – shkroi kapiteni i kombëtares spanjolle dhe i Real Madridit pranë një fotoje, ku shfaqet bashkë me gruan e tij, Pilar Rubio, dhe fëmijën e tyre të tretë. Ndërkohë, trajneri Julen Lopetegui, trajner i kombëtares iberike, udhëhoqi një seancë stërvitore me të gjithë lojtarët e tij. Me 23 lojtarë në dispozicion, pas braktisjes së grumbullimit nga David Silva për probleme personale, ai përgatiti të gjitha detajet e ndeshjes kundër Argjentinës, prapa dyerve të mbyllura. Disa ndryshime priten në ekipin titullar, me Sergio Ramos në kushte për të luajtur ndeshjen e tij të 151-të si ndërkombëtar absolut, veçanërisht në zonën e sulmit. Kundër Argjentinës mund të debutojë Dani Parejo dhe Marcos Alonso.