Sezoni 2017 për tenisten amerikane Serena Williams mund të konsiderohet i mbyllur. Ajo ka konfirmuar përmes një postimi në “Snapchat”, postim që më pas është hequr nga vetë tenistja, se është shtatzënë. Ajo ka shkruar se është 20 javëshe shtatzënë, duke nxjerrë edhe barkun e rrumbullakosur. Çka do të thotë që edhe në grand slemin të Australian Open të luajtur në janar në Melburn ajo ka luajtur dhe ka fituar kur ka qenë shtatzënë. Serena u fejua vetëm pak kohë më parë me Alexis Ohanian, themeluesin e Reddit dhe duket se kjo e ka patur një arsye.Serena Williams pritet të lindë gjatë grand slemit të shtëpisë, atij të US Open (në periudhën gusht-shtator), çka do të thotë që sezoni 2017 për të mund të konsiderohet i mbyllur. Çuditërisht, ajo mbyll sezonin pak ditë para se të rimarrë kreun e renditjes botërore, pasi të hënën ajo do të jetë sërish numri 1 në botë edhe pse nuk luan prej 3 muajsh. Ndoshta fansat do ta shohin sërish në fushë “panterën e zezë” gjatë vitit 2018, por këtë herë do të jetë në rolin e nënës dhe të bashkëshortes. Ikona amerikane e tenisit është 35 vjeçe dhe ndoshta mund të vendosë të mbyllë karrierën tani që do të bëhet nënë.