Serena Uilliams do të rikthehet në fushë në grand slemin e ‘Australian Open” (25-28 janar 2018), gati një vit nga sfida e saj e fundit, pikërisht në finalen e fituar në Melburn. Lajmin e ka konfirmuar sot për mediat kraid Tiley, drejtori i grand slemit australian, që tha se ka marrë “OK” nga tenistja amerikane, që në gusht të këtij viti u bë nënë. “Serena do të rikthehet te ne në janar dhe do të luajë në Melburn për të fituar titullin e fituar këtë vit. Po stërvitet rregullisht edhe pse ka ende disa muaj deri sa të nisë turneu. Do të jetë vetë ajo që do të na thotë nëse do të jetë gati apo jo”, tha Tiley. Tashmë në moshën 36-vjeçare, tenistja amerikane nuk luan që prej finales së “Australian Open”- 2017, kur mundi në finale motrën e saj Venus. Por prej disa javësh ajo ka nisur të stërvitet dhe ka konfirmuar se synon të mbrojë titullin në Melburn. “Dua të luaj në Australi, në janar. E di që mund të duket pak e çuditshme dhe ndoshta e tepruar, por do të bëj maksimumin për t’ia dalë mbanë”, pat thënë vetë Serena Uilliams pak kohë më parë. Nuk dihet nëse tenistja amerikane do të luajë direkt në turneun e ‘Australian Open” apo do të marrë pjesë në ndonjë turne përgatitor.