Beogradi pret që Moska të veprojë si ndërmjetëse në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me kreun e Senatit rus, Valentina Matviyenko të mërkurën. Vuçiq ka theksuar se çështja e Kosovës është përmendur në bisedimet e tij të së martës me presidentin rus, Vladimir Putin, raporton TASS. “Kemi disa pajtueshmëri, në rast se ka ndonjë konflikt, formati do të zgjerohet në mënyrë që të zgjidhet situata”, ka thënë Vuçiq. “Kërkova nga Rusia që të veprojë si ndërmjetëse dhe presidenti u pajtua”, shtoi ai. “Nëse shqiptarët kërkojnë që SHBA të bëhet ndërmjetës në bisedimet me Kosovën, atëherë ne do të kërkojmë që Rusia t’i bashkohet këtij procesi”, theksoi Vuçiq. “Sa i përket Kosovës, ne besojmë se situata duhet të zgjidhet me mjete politike, bazuar në dialog në mes të palëve në pajtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Ne do të përkrahim çdo vendim të dakorduar dyanshëm që e arrijnë Beogradi e Prishtina”, ka thënë Putin.