“Serbët e Kosovës, nuk duhet të trajtohen as si racë hyjnore e as si çifçi; ata janë qytetarë të Kosovës me të drejta, obligime dhe përgjegjësi të barabarta me të tjerët”
Nga Nijazi IDRIZI
- Bisedimet Kosovë – Serbi ishin programuar nga vendimmarrësit ndërkombëtar që të sillnin një marrëveshje të ndarjes përfundimtare të tyre dhe një fillimi të ri të funksionimit si dy shtete fqinje. Për të mos u shmangur nga ky objektiv, garantuese ishte rezoluta 1244 e OKB-së, në të cilën pos Jugosllavisë, në asnjë vend nuk përmendet Serbia; tri parimet e njohura, (jo kthim të gjendjes para vitit 1999, jo bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër dhe jo ndarje të saj); Pakoja e Ahtisarit; vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Pavarësinë e Kosovës. Ata madje kishin parashikuar se njohja do të vinte një ditë si interes jetik i Serbisë dhe Kosovës për integrime euro-atlantike.
- Shkaktari i armiqësisë shekullore shqiptaro serbe ka qenë lufta për territore. Të gjitha këto luftëra, shqiptarët i kanë përballuar të vetmuar, me sakrifica të mëdha, por me territore të rrudhura dhe popullsi të rralluar. Këto gjendje janë legjitimuar(sipas një parimi të pashkruar, për një periudhë njëshekullore), nga konferencat ndërkombëtare. Njihet vetëm një rast i mjerë në histori, kur në luftën për pushtet, Ahmet Zogu, ia ka dhuruar Serbisë, Shën Naumin dhe Vërmoshin, si falënderim për rrëmbimin e tij.
Ndërhyrja ndërkombëtare në vitin 1999 i dha fund pushtimeve serbe. Por duket se këtë mesazh nuk e kanë kuptuar Aleksandër Vuqiç i Serbisë dhe Hashim Thaçi i Kosovës. Ata me vartësit e tyre, nga viti 2013, në 190 takimet e tyre(pa i llogaritur ato të fshehtat),bisedë të përhershme e kanë pas ndarjen e brendshme dhe të jashtme të Kosovës. Politikani ekstremisht i paditur Hashim Thaçi, kërkesat e Vuqiçit për “mbijetesën e serbëve në Kosovë”,i ka shndërruar në mbrojtjen e interesave të Serbisë në Kosovë dhe e ka tërhequr atë në bashkëqeverisje të Kosovës. Për këtë qëllim u themelua Lista Srbska dhe u larguan partitë serbe të Kosovës. Ky tandem po punon për dështimin e shtetit të Kosovës.
Në vitin 2009 Thaçi, e instaloi krimin e organizuar në institucionet e Kosovës me të cilin po qeverisë edhe sot. Me të ka punuar në rrënimin ekonomik të vendit, pasi i plaçkiti asetet e shtetit përmes privatizimit; kapi drejtësinë; rrënoi arsimin dhe shëndetësinë;kujdesin social e shndërroi në pagesë të klientelës politike. Me një fjalë ai ka bërë rrënimin e brendshëm të Kosovës, deri në shkallën e dëshpërimit të popullit, i cili me shpresa të humbura, po e braktisë Kosovën.
Në anën tjetër, partneri i tij Vuqiç, ka punuar në rrënimin e jashtëm të Kosovës, duke ia hequr njohjet, me arsyetimin: “E lehtësimit të dialogut për marrëveshjen përfundimtare me Kosovën”; duke ia penguar njohjet e reja, (për 6 vitet e fundit,Kosovën e kanë njohur vetëm 7 shtete); duke e penguar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare; e mbi të gjitha, duke e bërë akt të kryer copëtimin e veriut dhe duke e jetësuar Asociacionin e Komunave Serbe. Ai, pa lejen e Qeverisë së Kosovës,ka investuar qindra miliona euro në vendbanimet serbe të Kosovës.
Veriu i Kosovës është bërë kantier ndërtimi, ku nuk është çudi të kenë marr punë edhe vëllezërit biznesmen të Thaçit dhe oligarkëve tjerë. Në 56 kisha e manastire, (mbi numrin e atyre që i ka plani i Ahtisarit), edhe pse në Kosovë janë vetëm 4 manastire që kanë vlerë historike e kulturore, janë investuar miliona euro. Me këto investime ajo po synon ta bart identitetin fetar nga Frushka Gora, ku ekzistojnë 20 kisha e manastire, pa përmendur Hielandarin, selinë e shenjt serbe në Greqi, e cila nuk po dëgjohet fare.
Këta dy oligark, e kanë copëtuar etnikisht Kosovën, sa tash i duhet vetëm edhe një komunë në Prilluzhë, Plemetin apo Babimost, për ta lidh jugun me veriun, që ta paralizojnë tërësisht Kosovën. Kjo edhe mund të arrihet,me arsyetimin: “Hajt more, se s’ka ku shkon”)!
Duhet të theksohet fakti se, depërtimi i Serbisë në Kosovë, po bëhet në emërtë bashkimit kombëtar të shqiptarëve të cilin po e trumbetojnë udhëheqësit shqiptarë për motive elektorale, me miratimin e heshtur të disa fuqive të mëdha.
III. Institucionet e Kosovës, deri më sot nuk kanë arritur ta gjejnë ndonjë formulë efikase për ta ndaluar depërtimin e Serbisë në Kosovë. Një mundësi e madhe ka qenë ushtrimi i parimit të reciprocitetit edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët numerikisht janë të barabartë me serbët në Kosovë. Sikur dy qeveritë tona të kishin investuar atje aq sa ka investuar shtetit serb në Kosovë, ajo do të forcohej dhe do të ishte e zonja që mbi supet e veta ta mbante një pjesë të barrës kombëtare dhe ta nxirrte Kosovën nga kriza në të cilën ka rënë, por kjo nuk u bë! Oligarku i Kosovës e çarmatosi UÇPMB-ja atje, pa e shtruar asnjë kërkesë dhe ndërhyri brutalisht edhe në definimin e politikave lokale, të cilat i bëri lëmsh, sa në fund, pasi i lodhi mirë, ia dorëzoi tandemit të vet atje. E sot, madje as një abetare shqip, nuk u lejua që të hapet në bankat e klasës së parë. Preshevarët kanë mbetur në hallin e vet, pa ndihmën e askujt, por krenare si përherë.Ata edhe kështu si u lanë, po e luajnë rolin e vet,për ruajtjen e qenies shqiptare.
- As sot oligarkët e Kosovës nuk kanë asnjë vlerësim për mesazhet e mëdha globale që miqtë e Kosovës ia dhanë atyre me shumë akte dhe veprime që u iniciuan dhe zhvilluan në Atdheun tonë.
– Ata duhet ta kuptojnë se lufta e Serbisë për territore ka pësuar disfatë kudo në ish Jugosllavi dhe çdo dhuratë që akëcili ia bënë asaj në Kosovë, nuk do të marr emër tjetër në histori, pos të atij që e morri Zogu kur i fali toka Serbisë. Serbia, përmes pengmarrjes së 4 komunave në veri, po e teston disponimin ndërkombëtar për aneksimin e Serbska Krainës. E Thaçi si qyqar, po pret!
– Ata duhet ta kuptojnë se me serbët e Kosovës duhet të ulen në bisedime, me një ofertë serioze, të bazuar në standardet evropiane, e cila do të jetë e pranueshme për ta. Serbia nuk duhet të jetë pjesë e këtyre bisedimeve. Ajo duhet të shporret nga qeverisja e përbashkët e Kosovës, përmes çfarëdo Asociacioni autonom alla Lutfihazirian. Me Serbinë duhet të bisedohen temat që bisedohen me Maqedoninë dhe Malin e Zi.
– Ata duhet ta kuptojnë se aktualisht prioritet i shqiptarëve është integrimi në NATO, BE dhe organizata rajonale, evropiane e globale. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është nevojë jetike e tyre, por jo me ndarje etnike e në dëm të këtyre integrimeve. Përndryshe ky bashkim nuk do të jetë gjë tjetër pos kthim në të kaluarën dhe humbje e këtij pozicioni që ata aktualisht e kanë. Shqiptarët, askush nuk po i pengon që të funksionojnë si një komb. Ata mund të planifikojnë zhvillimin duke u nisur nga integrimi i buxheteve të tyre, (madje edhe për nevojat për patate).
Dhe krejt në fund, oligarkët tanë duhet ta kuptojnë se bisedimet me serbët e Kosovës në njërën anë dhe me Serbinë në anën tjetër, nuk duhet t’i drejtojnë ata udhëheqës të cilët nuk i njohin fare serbët, por i hyjnizojnë apo margjinalizojnë sipas pozicionit që e kanë pasur në kohën e pushtimit. Ato duhet ti drejtojnë njerëzit të cilët e dinë se me serbët dhe Serbinë jemi bashkështetas dhe fqinjë me të cilët duhet të jetojmë bashkë me akte të marrëveshjeve. (koha.mk)