Serbia nuk ka përmbushur 90 përqind të Marrëveshjeve që i ka nënshkruar me Kosovën

5

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, vlerësohet në mënyra të ndryshme nga palët në negociata.

Kryesisht mbizotërojnë akuzat dhe fajësimet reciproke pse marrëveshjet e caktuara nuk janë zbatuar në tërësi apo nuk janë zbatuar fare. Prishtina akuzon Serbinë se nuk po përmbush pothuajse asnjë marrëveshje të arritur në Bruksel.

Kryetarja e komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, Vjosa Osmani, thotë se bazuar në raportin e Qeverisë nënkuptohet se 90 për qind e marrëveshjeve të arritura nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë.

“Një konkludim nga gjitha këto që lexova, nëse shprehim në vëllim apo përqindje moszbatimin e këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë ato mund të arrijnë në mbi 90 për qind, pra nuk ka marrëveshje të cilën ajo nuk e shkel së paku pjesërisht”, ka deklaruar Osmani.

“Sa i përket Kosovës edhe në raportet e fundit ndërkombëtare flitet vetëm për moszbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe ndërkaq Kosova për aq sa jemi të informuar ne edhe nga qeveritë paraprake edhe nga kjo e tanishmja i ka zbatuar obligimet e veta që dalin nga të gjitha marrëveshjet tjera”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, edhe nga Beogradi ka fajësime pse Prishtina nuk po e përmbush pjesën e vet të obligimeve. Madje, akuzat shtrihen jo vetëm në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe marrëveshjeve tjera, pjesë e të cilave janë edhe Kosova edhe Serbia, siç është rasti me CEFTA-n, një marrëveshje rajonale për tregti të lirë.

Comments are closed.