Udhëheqësi i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në Serbi, Sasha Jankoviq, ka deklaruar sot se lëvizja e tij nuk merr pjesë në dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën të cilin e vlerëson si farsë. Sipas tij, qëllimi i këtij dialogu është marrja e një vendimi të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse e ka pranuar në bisedimet me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, raporton Tanjug. Ai mendon se Serbia e ka humbur Kosovën qysh në vitet e ’90-ta dhe tani duhet përqendruar në realizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ka shtuar se duhet zgjidhur edhe çështjet e të drejtave pronësore. I pyetur që të komentojë faktin se manastiret e Graçanicës dhe të Deçanit janë renditur si trashëgimi e Kosovës, Jankoviq thotë se “është në dorën e Serbisë që të dëshmojë të kundërtën”.