Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker ka paralajmëruar se Serbia dhe Mali i Zi do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian brenda vitit 2025, ndërsa nuk ka përmendur aspak Shqipërinë. Duke folur për vendet e rajonit, ai tha se Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë përparime, por ritmi është i ngadaltë dhe kjo ka bërë që rajoni të jetë i zhgënjyer me BE-në. Por Juncker theksoi se pavarësisht disa përparimeve të Ballkanit, zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk do të ndodhë përpara vitit 2019. “Për momentin nuk është e mundur që të anëtarësohen shtete të reja deri në vitin 2019. Do të doja që perspektiva evropiane të shihet jo si një ftesë, por si një domosdoshmëri”, u shpreh Juncker. Megjithatë, Presidenti i Komisionit Evropian shtoi më vonë se Serbia dhe Mali i Zi do të jetë anëtare të unionit përpara vitit 2025. Këto deklarata për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, Juncker i bëri gjatë takimit me Kryeministrin bullgar Bojko Borisov. Bullgaria do të mbajë presidencën e ardhshme të Këshillit të BE-së, dhe nga Juncker kjo shihet si një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë me perspektivën evropiane në 6 muajt e ardhshëm. “Realisht kjo është një mundësi që ne të afrojmë Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që Britania e Madhe po tërhiqet nga BE”, u shpreh Jean Claude Juncker.