Nëse domatet që keni blerë këta muaj u janë dukur në pamje jo të mirë, që shumëkush u thotë ‘si të plastikës’, dhe nëse të njëjtit janë kalbur nëse i keni lënë jashtë frigoriferit, jeni duke ngrënë domate me pesticide.
Ekspertët në Serbi alarmuan dje për këtë produkt që vjen nga Turqia, duke konfirmuar edhe mbishkrimet në pako se ‘lëkura nuk është për konsum njerëzor’, shkruan gazetametro.net.
Metro ka kontaktuar me Doganën e Kosovës, të cilët përmes zëdhësit Adriatik Stavileci kanë konfirmuar hyrjen e sasive të konsiderueshme të domates nga Turqia. Nga të dhënat e marra, rezulton se Kosova importon më së shumti domate nga ky shtet. Madje, hiç më pak se 16 fish më shumë se nga Shqipëria.
Dogana kanë thënë se në më pak se tre muaj në këtë vit, Kosova ka importuar nga Turqia 2 milionë e 704 mijë kilogramë domate. Vlera e tyre ishte 1 milion e 134 mijë euro.
Gazetari i Metros ka vizituar marketet në Prishtinë për të parë se a e kanë tiketën e njëjtë si në Serbi, ku thuhej se lëkura nuk është për konsum njerëzor, mirëpo me të insistuar për të parë pakon, ai është pyetur nga shitësit se ‘ç’po kërkon kështu’.
Sidoqoftë, gazeta ka biseduar edhe me AVU për të pyetur se a kanë hasur në pesiticide gjatë kontrollave të këtyre domateve me origjinë nga Turqia. Ata kanë pranuar që domatet kanë pesticide, ndonëse sipas tyre është në sasinë e lejuar.
“Importi i domateve nga Turqia ka filluar nga fundi i muajit janar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes inspektorëve Fitosanitar Kufitar ka realizuar kontrolle tek të gjitha ngarkesat, në disa nga to edhe janë marrë mostra mostra për testime në mbetje të pesticideve. Të gjitha rezultatet e analizave laboratorike tregojnë që nuk kemi pasur produkt domate me mbetje të pesticideve mbi limitet e lejuar”, ka thënë për Metron, Lamir Thaçi, zëdhënës në AVU.
Ndërkohë, ndonëse e ka konfirmuar se ka pasur sasi të pesticideve, zyrtari i AVU ka thënë se ata vlerësojnë se domatet kanë qenë të cilësisë së mirë.
“Vlerësojmë se domatet e importuara kanë qen te cilësisë se mire duke i përmbushur kriteret e sigurisë se produktit”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, sipas gazetarit, domatet në markete janë në shumicë nga Turqia, e cila gjë u shkruhet edhe në pako, dhe kanë një shkëlqim mbi lëkurën e tyre.
Ndryshe, Kosova importon domate për tregun kosovar nga katër shtete. Ndërkohë që shteti kosovar ka marrë për këta 3 muaj gati 3 milionë kg nga Turqia, ajo importon edhe 168 mijë kg nga Shqipëria, 23 mijë kg nga Greqia dhe 601 kg nga Italia./gazetametro.net