Në një anketë të kryer nga gazeta “Blic” e Beogradit, me më shumë se 12.500 qytetarë, del se Serbia i ka raportet më të këqija me Shqipërinë. Sipas të anketuarve, në Serbi as raportet me Kroacinë dhe Bosnjën dhe Malin e Zi nuk janë të shkëlqyera. Natyrisht, serbët në anketë nuk janë pyetur për raportet me Kosovën, pasi edhe kjo gazetë ndjek qëndrimin e shtetit serb rreth pavarësisë së Kosovës. Raportet e Serbisë me disa vende të rajonit, janë të mira por ato do duhej të avancoheshin ende, kanë thënë të anketuarit – lexuesit e gazetës beogradase. Mbi 58 për qind e të anketuarve kanë thënë se duhet përmirësuar raportet me Rumaninë, 48% me Bullgarinë dhe Hungarinë, 38% me Maqedoninë, 24 për qind me Malin e Zi. Gjithashtu, mbi 58% e të anketuarve kanë thënë se Serbia as që duhet ti përmirësojë raportet e këqija me Shqipërinë, 41% kanë thënë se raportet e njëjta (të këqija) duhet të mbesin edhe me Kroacinë, 23% me Bosnjën dhe po ashtu 21 për qind kanë konstatuar se Serbia ka raporte të këqija me Malin e Zi duke theksuar se as që duhet angazhuar që ato të përmirësohen.