Përfaqësues të komunave veriore të banuara me shumicë serbe kanë paralajmëruar Prishtinën me ndërprerje të bashkëpunimi, nëse nuk ka ndryshim të qasjes ndaj tyre. Gazeta KOHA Ditore shkruan se madje në Zubin-Potok kanë kërcënuar edhe me rikthim të barrikadave dhe rritje të pakënaqësisë qytetare. Shkak është alokimi i mjeteve të buxhetit nga buxheti e shtetit për katër komunat veriore, si dhe moszbatimi i “detyrimeve” që dalin nga marrëveshjet e Brukselit për këto komuna. Udhëheqës të Komunës së Zubin-Potokut kanë thënë t’i kenë dërguar Qeverisë së Kosovës paralajmërimin e fundit për shkëputje të marrëdhënieve. Ankesat e tyre janë për reduktim të vazhdueshëm të fondeve për investime kapitale, pengim i shfrytëzimit të fondit për veriun, si dhe moskryerje pagesash qe një vit për 20 pjesëtarët e ish-mbrojtjes civile. Përmes zëdhënësit të kësaj komune, Sërdjan Vuçiniq, ata kanë kërcënuar se “zemërimi” i tyre do të manifestohet edhe me vendosje të barrikadave. Për marrjen e kësaj mase kanë kërkuar përkrahjen edhe të tri komunave të tjera në veri.