Ndalohet vizita e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Beograd, nga ana e autoriteteve të Serbisë. Në një komunikatë nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se ministrja në largim për Dialog, Edita Tahiri, ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Beograd, nga ana e autoriteteve të Serbisë, duke theksuar se me këtë akt refuzimi Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve. Tahiri ka bërë të ditur se ish-presidentja Jahjaga kishte respektuar procedurat zyrtare të parapara në Marrëveshjen e Brukselit dhe se vizita e saj ishte për qëllime kulturore dhe humanitare, për të folur për tragjedinë e grave të mbijetuara nga dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë nga ana e forcave serbe, në një ngjarje kulturore në Beograd. “Ministrja Tahiri theksoi se akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, që është një objektiv kryesor i dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në komunikatë. Tahiri po ashtu ka kërkuar nga BE-ja që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë që të jetë e mundur si dhe të mundësohet kjo vizitë, duke theksuar se kjo është në funksion të paqes dhe fqinjësisë mes dy shteteve. Ndryshe, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës së saj në Beograd do të merrte pjesë në festivalin “Mirëdita, dobar dan!”, ku pritej të mbante një fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.