Beograd, 31 maj – Ambasadorja e Maqedonisë në Beograd, Vera Jovanovska, është ftuar dje urgjentisht në bisedë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë për të dhënë shpjegime në lidhje me rrethanat që çuan deri në përgjimin e telefonave të këshilltarit të Ambasadës së Serbisë në Shkup, Goran Zhivaljeviq, kryetarit të partisë së serbëve të Maqedonisë, Ivan Stoilkoviq, si dhe gazetarit të gazetës serbe “Politika”, Mirosllav Llazanski. Siç është informuar nga MPJ serbe, Jovanovska është ftuar edhe të shpjegojë aktin se si transkriptet e bisedave të përgjuara kanë arritur deri në opinion. Nga pala maqedonase është kërkuar edhe informacioni nëse në bisedë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë janë thirrur ambasadorët e të gjitha vendeve, njëjtë sikurse ambasadorja serbe ditë më parë, si dhe përfaqësuesit e shërbimeve të huaja të cilat, siç pretendon MPJ serbe, janë parë në ndërtesën e Parlamentit natën e 27 prillit. Ambasadorja Jovanovska, siç shkruan Dnevnik.rs, është shprehur se shërbimet kompetente maqedonase nuk posedojnë informacion për pretencën e përfaqësuesve të shërbimeve të tjera të huaja në Parlament gjatë trazirave, si dhe nuk ka ndonjë të dhënë në lidhje me atë se si transkritet kanë arritur deri tek mediat serbe. Ajo ka vërë në dukje faktin se Maqedonia është në tranzicion të pushtetit dhe se ka shprehur bindjen që gjatë periudhës në vijim të gjitha keqkuptimet do të tejkalohen. “Ndihmësministri i Punëve të Jashtme, Goran Aleksiq dhe shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Dejan Zllatanoviq, kanë kërkuar nga ambasadorja Jovanovska që Shkupit ti transmetojë se Serbia pret që marrëdhëniet ndërfqinjësore mund të zhvillohen dhe avancohen vetëm në bazë të respektit reciprok dhe parimeve të përgjithshme diplomatike, përmes reciprocitetit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në kumtesën e MPJ-së serbe. Ndryshe, ditë më parë, portali krik.rs publikoi transkriptet e përgjimeve telefonike midis oficerit të Agjencisë Informative Serve (BIA) me deputetin Stoilkoviq, të cilët kishin sjellë në Shkup gazetarin kontrovers Llazanski për të përgatitut dezinformata lidhur me situatën në Maqedoni, ndërsa të njëjtat ditë me radhë u publikuan në mediat serbe. (koha.mk)