Përveç ujit, energjisë elektrike disa shërbimeve tjera, banorët e komunave në veri të Kosovës nuk e paguajnë as obligimin për tatim në pronë. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Mitrovica Veriore, Leposaviçi, Zveçani dhe Zubin Potoku nuk e kanë zbatuar Ligjin për Tatimin në Pronë dhe Ligjin për Ndërtimet si burime kryesore për të hyrat vetanake. Sipas po këtij raporti, vetëm Mitrovica Veriore bën arkëtimin e të hyrave duke u bazuar në një vendim të UNMIK-ut. Për më tepër ky vendim nuk parasheh të hyrat nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, shfrytëzimin e pronave publike apo burime të tjera të të hyrave komunale shkruan Zëri. Në komunat tjera veriore, ZKA ka gjetur edhe shkelje tjera siç është rasti me Zubin Potokut që nuk kishte raportuar në baza mujore obligimet financiare në Ministrinë e Financave, ashtu siç kërkohet me rregullore. Në Zveçan, sipas ZKA-së është vërejtur edhe planifikim i dobët i buxhetit.