Omer XHAFERI
Shkup, 25 dhjetor – Problemet urbane në Çair nuk kanë të përfunduar. Në kohën kur sulmet nga qentë endacak çdo ditë e më tepër po shtohen, banorët e Saravës, Gazi Babës e gjithandej druajnë se për shkak të mungesës së ndriçimit në disa prej mëhallëve brenda këtyre lagjeve, ato mund të jenë cak i ndonjë sulmi të papritur. Shprehjen e revoltës qytetare, ndonëse deri më tani banorët e këtyre lagjeve, por edhe më gjerë e kanë realizuar përmes reagimeve të ndryshme, qoftë në media apo në rrjetet sociale, ato theksojnë se nëse nuk përmirësohen kushtet – do të vetorganizohen në zgjidhjen e problemit.
Javëve të fundit, kur flasim për probleme me ndriçimin e hapësirës publike, në rrugët siç janë “Krimska” e “Kosta Abrasheviq” në Seravë, “Bajram Shabani” e “393” në Gazi Babë, është regjistruar errësirë e plotë. Pamjet e errëta edhe pse i prekin të gjithë banorët e kësaj ane të qytetit të Shkupit, megjithatë shqetësimi më i madh vërehet te ato qytetarët të cilët e vizitojnë spitalin gjinekologjik “Nëna Tereza” në Seravë dhe nxënësit e shkollës fillore “Liria”. Pikërisht rruga “Kosta Abrasheviq” që shpie drejtë spitalit gjinekologjik në Seravë, e cila është e lidhur me bulevardin “Cvetan Dimov” pas përfundimit të ditës, gjegjësisht prej orës 16:30 është në errësirë totale. Situatë e ngjashme paraqitet edhe para hyrjes kryesore të shkollës fillore “Liria”, respektivisht pjesa e parkingut dhe hyrja për në brendësi të lagjes Gazi Babë, pjesë kjo që shfrytëzohet nga nxënësit gjatë orëve të mbrëmjes është krejtësisht e errësuar.
Autoritet e Komunës së Çairit, në një prononcim për gazetën KOHA, njoftojnë se i kanë parasysh të gjitha problemet e periudhës së fundit, sa i përket çështjes së ndriçimit publik. Lidhur me këtë situatë, ata premtojnë se brenda kësaj jave dhe periudhës që pason – do të intervenohet në sanimin e problemit. “Reagimet dhe ankesat e drejtpërdrejta të qytetarëve kanë arritur edhe në adresë të komunës. Për këtë arsye, shërbimet kompetente dhe personat përgjegjës kanë hartuar një plan gjithëpërfshirës, i cili gjatë ditëve në vazhdim do të zbatohet në zgjidhjen e problemit të fundit që është paraqitur, e që ka të bëjë me ndriçimin publik. Banorët e lagjeve të prekur duhet ta kenë parasysh se bëhet fjalë për një defekt më serioz dhe se për zgjidhjen e tij duhet pak më tepër kohë. Për këto arsye kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët”, thonë nga Komuna e Çairit.
Qytetarët e ndërgjegjshëm, përderisa shprehin revoltën e tyre për këtë çështje, nuk ngurojnë të thonë se keqpërdorimi i rrymës nga shumë amvisëri, përfshi edhe biznese joformale, paraqet një prej shkaqeve kryesore se pse ato jetojnë në këto kushte. Djegia e shumë trafove elektrike, ngarkesa e madhe e shtyllave elektrike e kështu me radhë, brenda lagjeve Seravë, Gazi Babës sidomos gjatë periudhës së dimrit – mendohet të jetë arsyeja kryesore e cila ndikon që mëhalla të tëra të mbesin pa ndriçim publik. Ndryshe, vendosja nën tokë e sistemit përçues të rrymës elektrike apo e lidhjeve tjera, siç janë interneti e shërbimet tjera në lagjet si Serava e Gazi Baba, po thuajse është e pamundur. Uzurpimi i trotuareve dhe ndërtimi i objekteve të forta të banimit buzë rrugëve kryesore, nënkupton se një pjesë të madhe të fajit, për kaosin e vërtet që mbizotëron në këtë pjesë të komunës, i takon edhe vetë qytetarëve.