Pse ndodh plakja e lëkurës? Si mund të kontrollojmë dhe cilat janë rezultatet e ndërhyrjeve plastike! Ndonëse një problem shumë i shfaqur kohës së fundit tek ne dhe një trend i jashtëzakonshëm, Dr. Senera Hoxha flet për InfraRed të gazetës KOHA për efektet dhe metodat më të mira për rinimin e lëkurës dhe rimodelimin e pjesëve të tjera të trupit
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Dr.Senera, si mund të përkufizohet rëndësia e lëkurës në përditshmërinë tonë?
Sigurisht që lëkura luan një rol të rëndësishëm në prezantimin tonë të imazhit por dhe në marrëdhëniet sociale që krijojmë. Ajo reflekton me shumë se çdo organ tjetër moshën dhe shenjat e plakjes. Kjo e fundit influencohet nga shume faktore si ato gjenetikë, hormonalë, ndotja ambientale, konsumi i duhanit, problemet mjekësore e të tjera më radhë! Procedurat kozmetike, disa prej tyre nuk kërkojnë patjetër anestezi, bisturi apo sallë operacioni. Procedura të lehta, që mund të realizohen në një klinikë dermo-estetike në më pak se një orë, po bëhen gjithmonë e më të shpeshta dhe këtë mund ta demonstrojmë edhe këtu në klinikën kirurgjisë plastike Chimera në Tiranë. Në bashkëpunojmë edhe me një doktor ose më saktë një ndër doktorët e kirurgjisë plastike më të mirë në Turqi i cili realizon ndërhyrjet më të mëdha dhe të rëndësishme duke qenë edhe sepse ai është adapt për këto ndërhyrje, Prof.Dr. Selçuk Isik!
KOHA: Cilat janë disa nga metodat që ofrojnë rinim të lëkurës dhe që ju edhe në klinikën tuaj i realizoni?
E para është botox ose toksina botulinike – është një toksinë e purifikuar që shkakton relaksim të përkohshëm të muskujve të mimikës dhe si rrjedhim shtrirje të rrudhave të padëshiruara të shkaktuara nga këta muskuj. Ky trajtim konsiston në injektimin e sasive të vogla të toksinës botulinike në muskujt e mimikës me anën e disa ageve shumë të holla. Zonat që trajtohen janë rrudhat midis vetullave dhe në hundë, rrudhat rreth syve apo edhe rrudhat horizontale në ballë!
KOHA: Çfarë janë fillerat që kaq shumë po përfliten kohët e fundit?
Doja të dilja edhe vetë në këtë pikë të çështjes, fillerat ose mbushësit kozmetikë përfaqësojnë gjithashtu një alternativë shumë popullore të rigjenerimit të fytyrës që nuk kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ata rikthejnë volumin e humbur nën lëkurë duke sheshuar rrudhat dhe duke mbushur rrudhat e krijuara si pasojë e procesit të plakjes. Arritjet e fundit të teknologjisë kanë siguruar produkte me rezultate gjithmonë e më natyrale që zgjasin më shumë.
KOHA: Çfarë është mezoterapia?
Mezoterapia është procedurë mjekësore që konsiston në mikroinjektime të substancave të ndryshme si vitamina, minerale, aminoacide, acid hialuronik, ekstrakte natyrale bimore, agjentë farmaceutikë etj në mezodermë ose shtresën e mesme të lëkurës. Aplikohet në fytyrë për një lëkurë më vitale, me më pak rrudha dhe më të tonifikuar por dhe në trup për trajtimin e depozitave dhjamore dhe celulitit. Aplikimi i terapisë në mënyrë periodike është i nevojshëm në mënyrë që të ruhet efikasiteti i trajtimit dhe rezultati të jetë gjithmonë fantastik. Metodë tjetër është edhe PRP (plazëm e pasuruar me trombocite) njihet ndryshe si “vampire lifting”. Konsiston në injeksione të shpeshta në lëkurë të PRP – ajo pjesë e gjakut që përmban faktorë të rritjes dhe citokina që stimulojnë rigjenerim të lëkurës. Është një nga trajtimet që po kërkohet gjithmonë e më shumë sepse nxit rigjenerim natyral për një lëkurë më të re, vitale, më të tonifikuar, me rrudha të pakësuara dhe përmirësim të teksturës sidomos në zonën e syve ku shoqërohet me përmirësim të rrathëve të zinj.
KOHA: Cilat janë ndërhyrjet më të kërkuara në klinikën tuaj?
Operacionet e hundës dhe të veshëve, ndoshta sepse kanë qenë edhe ndër të parat që u bënë në Shqipëri dhe më pas dalëngadalë edhe të tjerat. Edhe sot kryesojnë këto operacione, por nuk ngel pas edhe liposuction ose siç quhet ndryshe edhe heqja e dhjamit.
KOHA: A janë VIP-at ata më të interesuarit në rritjen e kërkesës së trendeve në kirurgjinë plastike dhe në zgjedhjen e tyre sigurisht…!
Një frymëzim për ndërhyrje estetike padyshim janë personazhet e showbizit, të huaj apo shqiptar, për pjesën më të madhe të të rinjve, të cilët të gjendur përballë aksesit të menjëhershëm në botën e madhe të virtualitit, merr më tepër se vite më parë, nga dozat e formësimit të idesë se si duhet të jetë pamja jote e jashtme. Që në nisje të operacioneve plastike në vendin tonë, VIP-at shqiptarë ishin personat e parë të interesuar. Klinikën tonë e frekuentojnë mjaft personazhe publike por që për arsye etike nuk mund të përmendim emra. Tashmë, me ndryshimin e mentalitetit, thyerjen e tabuve, të shumtë janë të rinjtë shqiptarë, të jetës së përditshme, që duan të kryejnë një ndërhyrje dhe e bëjnë atë pa pasur komplekse si më parë.
KOHA: Cilat janë kushtet higjienike që duhen ndjekur për të realizuar një ndërhyrje estetike le të themi të thjeshtë, rimodelim buzësh apo edhe metodat e rinimit të lëkurë?
Kushtet higjienike, në të cilat duhet të realizohet një operacion plastik janë të njëjta me ato që do duhen për çdo operacion tjetër, mungesa e tyre do të sillte komplikacione të mëdha. Jo vetëm operacionet që kanë një rrezikshmëri dhe kosto të lartë por edhe ndërhyrjet estetike si buzët,mollëzat dhe botoksi duhen kryer në klinika dhe jo në parukeri, sepse kanë kushtet e tyre të realizmit të cilat duhen ndjekur me rigorozitet.