Romë, 12 shkurt – Senatorët italian sot votuan për heqjen e imunitetit të liderit ultra të djathtë dhe ish ministrit të Punëve të Brendshme, Mateo Salvini, me çka hapet mundësia për gjykimin e tij, që do të nënkuptojë fundin e karrierës së tij për shkak akuzave se ai vitin e kaluar mbajti emigrantë në një varkë shpëtimi në afërsi të bregut të Sicilisë, transmeton gazeta KOHA.
Rezultatet e votimit pritet të shpallen më vonë sot, por tani për tani dihet që shumica e senatorëve kanë votuar për ta hequr mbrojtjen ligjore të Salvinit.
Vendimi i Senatit do t’u mundësojë gjykatësve të Sicilisë të ngritin akuzë kundër Salvinit, pasi korrikun e kaluar refuzoi t’ju lejojë një grup emigrantësh të dalin nga anija në tokën italiane, derisa priste miratim nga shtetet tjera evropiane që t’i pranojnë.
Nëse dënohet, Salvini, i cili në atë periudhë e kryente funksionin ministër i Punëve të Brendshme, mund të dënohet me 15 vjet burg.
Megjithëse ishte i njohur me rezultatin e votimit parlamentar, Salvini megjithatë kërkoi që imuniteti i tij të hiqej dhe të gjykohej për, siç thekson, se është “mbrojtje për Italinë nga emigrantët e paligjshëm të cilët janë fajtorë për krim dhe marrjen e vendeve të punës nga italianët”.
“Unë kam vendosur kundër interesave të mia … të shkoj në gjykatë dhe të shpresoj për paanshmërinë e gjyqësorit. Për dallim nga ata që ikin, unë nuk do të ik dhe do ta pres gjykimin me qetësi, së pari në gjykatë, ndërsa më pas në popullin italian kur të votojnë”, theksoi Salvini para gazetarëve.
Gjatë mandatit të tij 14-mujor si ministër, Salvini vazhdimisht i ndaloi emigrantët të hynin në Itali, i pengonte aktivitetet e varkave të shpëtimit dhe i kërcënonte me dënime të organizatave humanitare.(koha.mk)