Kompania Air Berlin, e cila ka shpallur falimentim, sot ka anuluar afro 100 fluturime, pasi një numër i madh i pilotëve morën raport mjekësor, duke e dëmtuar potencialisht përpjekjen për gjetjen e investitorëve të gatshëm për ta shpëtuar këtë kompani ajrore, që është e dyta më e madhja në Gjermani.
Air Berlin ka shpallur falimentim muajin e kaluar pasi aksionari kryesor, Etihad Airways, i ka tërhequr fondet pas disa viteve të humbjeve. Investitorët potencialë duhet të paraqesin oferta deri më datë 15 të këtij muaji. Afro 100 fluturime janë anuluar sot herët në mëngjes, pasi 200 pilotë të kompanisë, Air Berlin, kanë marrë raport mjekësor. Një burim industrial tha se Air Berlin mund të humbë deri në 5 milionë euro në ditë për shkak të anulimeve të fluturimeve, raporton agjencia Reuters nga Berlini.