[adning id="476476"]

Sëmundjet serioze të shkaktuara nga dieta “Keto”

29

Studiuesit sugjerojnë që konsumimi i lartë i mishit, djathit, vajrave dhe përbërësve të tjerë kryesorë të dietës Keto, kombinuar me mungesën e ushqyesve të duhur, rezultojnë në një rritje të konsiderueshme të rrezikut nga disa sëmundje kronike të zakonshme dhe afatgjata

Dieta Keto kohëve të fundit është praktikuar shumë nga masa, për shkak se ka qenë efektive për t’i ndihmuar njerëzit të dobësohen si dhe për faktin që shumë personave që i praktikojnë dietat, u konvenon t’i kufizojnë disa lloje të ushqimeve kur përqendrohen në humbjen e peshës. Së fundmi, studiuesit shëndetësorë i kanë ngritur disa shqetësime rreth kësaj diete me shumë pak karbohidrate. Kështu, ata e kanë bërë lidhjen mes dietës Keto dhe disa nga sëmundjeve kronike afatgjata.

Në një shkrim të publikuar në gazetën “Frontiers in Nutrition”, shtatë studiues të mjekësisë dhe ushqimit nga institucione të rëndësishme në Amerikë dhe Kanada, i kanë rishikuar 123 hulumtime të kaluara. Ata pajtohen me vlerësimin se metoda e dietës ketogjenike për të kufizuar ashpër marrjen e karbohidrateve dhe vendosjen e parametrave të kohës së agjërimit rreth ngrënies, mund të ndikojë në mënyrën se si trupi metabolizon yndyrën. Por, pas rishikimit të këtyre hulumtimeve, autorët e këtij studimi të fundit konstatojnë se për shumicën e individëve, rreziqet e dietave ketogjene mund të jenë më të mëdha se përfitimet.

Ata sugjerojnë që konsumimi i lartë i mishit, djathit, vajrave dhe përbërësve të tjerë kryesorë të dietës Keto, kombinuar me mungesën e ushqyesve të duhur, rezultojnë në një rritje të konsiderueshme të rrezikut nga disa sëmundje kronike të zakonshme dhe afatgjata. Ushqimet që janë pjesë e këtyre dietave, janë pikërisht produktet ushqimore të cilat shkaktojnë kancer të zorrës së trashë, sëmundje të zemrës dhe sëmundjen Alzheimer.

Studimi gjithashtu i liston sëmundjet kronike të veshkave dhe diabetin, si sëmundje që lidhen me dietën ketogjenike. Prandaj, të gjithë atyre personave që i praktikojnë këto lloj dieta për një kohë të gjatë, u preferohet që të fillojnë të mendojnë më shumë për shëndetin e tyre të përgjithshëm dhe afatgjatë, si dhe u sugjerohet që të konsumojnë sa më shumë fruta, perime dhe drithëra të plota, të cilat sigurojnë minerale, antioksidantë dhe lëndë ushqyese të tjera që mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të lartpërmendura.