Sipas OBSH-së, janë rreth 700 mijë viktima të regjistruara çdo vit. Mes specieve më të rrezikshme figurojnë mushkonjat, mizat dhe grerëzat
Më shumë se 80% e popullatës botërore rrezikon të preket nga një infeksion nga insektet. Mes specieve më të rrezikshme, figurojnë mushkonjat, mizat dhe grerëzat, të cilat mund të transmetojnë patologji si malaria, leishmania, sëmundja e Chagas, Lyme-s dhe encefaliti (shtrembërim i organeve të trupit). Alarmi jepet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka vendosur ta përfshijë mes prioriteteve të saj kontrollin e insekteve me një plan të përgjithshëm botëror dhe një listë objektivash për t’u arritur brenda vitit 2030.
MË SHUMË SE 700 MIJË VIKTIMA NË VIT. Sipas ekspertëve, 40% e popullatës botërore rrezikon të infektohet nga dy ose më shumë sëmundje njëkohësisht. Insektet kryesore, vektorë të sëmundjeve, vrasin çdo vit më shumë se 700 mijë persona dhe popullatat më në rrezik janë ato që jetojnë në varfëri në zonat tropikale dhe subtropikale. Urbanizimi i shpejtë dhe i pa kontrolluar, shtimi i udhëtimeve, tregtia ndërkombëtare, ndryshimet bujqësore dhe ato mjedisore, kanë rritur përhapjen e këtyre insekteve, duke rrezikuar me miliona persona në botë.
KONTROLL I MADH I INSEKTEVE. Objektivi i OBSH-së, është ai për të ndërtuar programe të kontrollit të insekteve në vende të ndryshme, me ndihmën e progresit teknik të arritur në vite, të sistemeve të mbikëqyrjes së përforcuar dhe përfshirje më të madhe të komunitetit. “Ne po shohim një zhvillim gjithnjë e më të dukshëm, zhvillimin dhe rizhvillimin e sëmundjeve të tilla, që bota nuk është e përgatitur t’i përballojë”, ka pohuar Margaret Chan, drejtoresha në largim e OBSH-së. Përhapja e Zika-s, rishfaqja e etheve tropikale dhe kërcënimi në zhvillim i “Chikungunya”-s, janë rezultat i politikave të kontrolleve të dobëta të mushkonjave nga vitet ’60 deri më sot. Plani i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, synon të ulë vdekshmërinë për sëmundjet nga insektet me 75% dhe incidenca me 60% brenda 2030-ës për të parandaluar epidemitë në të gjitha vendet në rrezik.