Vjollca SADIKU
Dibër, 21 mars – Në lokalitetin banjar në Banjisht, në organizim të Shoqatës së Fizioterapeutëve të Maqedonisë, u mbajt Seminar për domethënien e ujërave termomineral, shkruan gazeta KOHA. Në këtë aktivitet me pjesëmarrje të mbi 70 fizioterapeutëve nga vendi, u prezantuan tri ligjërata të anëtarëve të kësaj shoqata në lidhje me vlerat e ujërave termominerale dhe përdorimi i ujërave të këtillë ne sferën e fizioterapisë. Sipas dr. Naim Hisa nga Dibra, seminari pati për qëllim që fizioterapeutët nga vendi pikërisht në Banjat e Dibërs, në lokalitetin e Banjishtit, të shohin së afërmi ujin termomineral. U vlerësua se cilësia e ujërave termomineral në banjat e Dibrës është i tretë në Evropë.
Dr. Naim Hisa, specialist i fizioterapisë, na deklaroi se në tre temat e prezantuara në këtë seminar njëditor, është ligjëruar për ujërat termomineral, për terapitë që përdoren dhe realizohen në këtë institucion banjar si dhe për kualitetin e ujit termomineral në Banjat e Dibrës. Sipas Hisës, në këtë banjë përdoren të gjithë terapitë e mundshme që përdoren në të gjithë botën. Sidomos, një vend të veçantë ka fango terapia ose terapia me baltë në këtë banjë e cila shëron shumë sëmundje. Po sipas tij, sasia e ujit dhe kualiteti i tij jep mundësi të gjëra edhe ne lidhje me trajtimin dhe mjekimin e shumë sëmundjeve. Fizioterapeutët nga shoqata në fjalë, u informuan edhe për karakteristikat e ujit termomineral në të dy lokalitetet banjare të Dibrës Banjisht dhe Kosovrast. Në debat u theksua se Maqedonia ka banja me kualitet të lartë, e veçmas Banja e Dibrës. U tha se në sferën e terapive duhet më shumë të shfrytëzohen këto kapacitete banjare, meqë ka mundësi për këtë. Duke marrë parasysh se në të dy lokalitetet banjare investitorët kanë investuar shumë në ngritjen e kapaciteteve dhe mundësive shëndetësore dhe teknike, duhet që kjo mundësi të ketë një përkrahje më të madhe në shërimin e sëmundjeve që trajtohen në sferën e fizioterapisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.