Shkup, 28 mars – Të ndërrojë praktika shumëvjeçare e mosndëshkimit për sulmet ndaj gazetarëve. Institucionet me vite të tëra e toleruan këtë praktikë, ndërkaq në disa raste madje edhe i nxitën aktet e dhunës ndaj gazetarëve.
Këtë e deklaroi sot kryetari i Shoqatës së gazewtarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim me ambasadoren e OSBE-së në vend, Nina Siumalainen, “Mbështetje për lirinë e mediumeve dhe sigurinë e gazetarëve”.
Selmani theksoi se qëllimi i memorandumit për bashkëpunim është organizimi i trajnimeve dhe ngjarjeve të përbashkëta, me qëllim të rritjes së sigurisë së gazetarëve si dhe promovimin e lirisë së fjalës.
“Rrethanë pozitive është që ministri i tanishëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe prokurori i ri, Ljubomir Joveski janë të vetëdijshëm për problemin me praktikën e mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve dhe janë në disponim të punojmë së bashku me qëllim që të ndërpritet praktika e këtillë negative e cila seriozisht e rrezikon lirinë e fjalës”, tha Selmani.
Sipas tij, me rëndësi është të shfrytëzohet ky moment i volitshëm në mënyrë që të ketë debate për lëshimet sistematike në funksionimin e prokurorisë dhe të policisë, dhe të ndërtohet mekanizëm institucional për preventivë dhe ndëshkim të dhunës ndaj gazetarëve.
“Nuk do të mund të bëjmë dallim nga e kaluara, dhe ta përmirësojmë lirinë e fjalës, nëse institucionet nuk kanë vullnet dhe kapacitet që në mënyrë efektive t’i hulumtojnë të gjitha sulmet kundër gazetarëve. Dhe jo vetëm kjo, ata që marrin guxim të sulmojnë gazetarë duhet të nxirren shpejtë para drejtësisë, dhe ta marrin dënimin e merituar. Me këtë sistemin do ta ndjekë porosia e qartë për të gjithëp se dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe nuk do tëp tolerohet në të ardhmen”, shtoi ai.
tha se liria e fjalës është prëfitim i madh i civilizimit njerëzor, dhe se e drejta e gazetarëve që të shprehen lirisht, nuk guxon t’i rrezikojë të drejtat e tjera të qytetarëve.
“Jam i bindur se praktika e këtillë do të ndryshojë ditën kur gjykata e Maqedonisë do të dënojë ndonjë të dhunshëm i cili ka guxuar të sulmojë gazetarë. Nuk do të heqim dorë derisa institucionet nuk veprojnë shpejtë dhe me efikasitet rreth të gjitha lëndëve të dhunës kundër gazetarëve”, shtoi Selmani.
Në pyetjen se deri ku është rasti i kërcënimit ndaj tij, tha se nga dita e parë pjesëtarët e policisë kanë reaguar dhe menjëherë i kanë kontaktuar njerëzit të cilët e kanë kërcënuar atë.
“Pati një keqkuptim me prokuroren. Prokurorja tani e kupton se atë ditë ndoshta ka bërë ndonjë lëshim, atë ditë tha se këtu nuk ka kërcënim, megjithatë më pas e ndryshoi vendimin. Unë dhashë dëshmi, çdo ditë jemi në kontakt me prokuroren, dhe shpresoj se procedura do të përfundojë shpejtë dhe do të procesohet për në gjykatë”, tha Selmani.
Soumalainen shprehi kënaqësi nga zyrtarizimi i bashkëpunimit me SHGM-në, duke cekur se shoqata çdoherë tregon zëshëm për shkeljet e lirive të shprehjes dhe standardeve profesionale.
“Nënshkrimi i bashkëpunimit është edhe simbolik për OSBE-në, sepse zyrtarisht vazhdojmë me punë në fushën e lirisë së mediumeve pas një pauze prej pothuajse një dekade”, tha Soumalainen.