Shkup, 15 shkurt – Kryetari i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani pas zgjedhjes së drejtorëve të servisit publik radiodifuziv, sot deklaroi se druan që reforma në TVM do të përfundojë në pazare dhe marrëveshje ndërpartiake.
“Sa i përket çështjes për zgjedhjen e drejtorit të vjetër-të ri të TVM-së me të vërtetë më vjen keq që u lëshua një mundësi e artë, e papërsëritshme, do të thosha, të tregojmë se ne si shoqëri kemi kapacitet të përballemi me sfidat. Duket se presioni i partive ishte i madh. Patëm kontakte me anëtarët e Këshillit programues, ka disponim për t’u biseduar, megjithatë, kur u përzien partitë, atëherë njerëzit u tërhoqën”, tha Selmani.
Sipas tij, po tregohet se njerëzit në Maqedoni më shumë tregojnë lojalitet ndaj partisë së cilës i takojnë se sa interesit publik dhe interesit të qytetarëve.
“Ajo që mua më së shumti më shqetëson është që nuk shoh masë kritike në establishmentin politik, qofshin ata nga pushteti apo nga opozita, t’i kuptojnë seriozisht reformat mediale. Unë druaj se nga reformat mediale, reforma në TVM do të përfundojë në pazare dhe marrëveshje ndërpatiake”, tha Selmani.
SHGM, shtoi ai, do ta ndjekë procesin dhe menjëherë do të reagojë, çdoherë kur do të konsiderojë se ato zgjidhje nuk janë në pajtim me standardet evropiane dhe interesat e qytetarëve.
“Ne fuqimisht bëjmë presion që servisi publik të pavarësohet, të lirohet nga kontrolli politik, ndërkaq nga ana tjetër kërkojmë edhe gjithsesi konstruksion të qëndrueshëm financiar i cili do t’i mundësojë servisit publik t’i përmbushë obligimet”, tha Selmani, pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim me Komisionin për qasje të lirë drejt informatave të karakterit publik.