Shkup, 9 prill – Dezinformatat në mediat dhe rrjetet sociale rëndojnë edhe më shumë situatën me krizën shëndetësore me pandeminë COVID-19, po ashtu edhe vështirësojnë përpjekjet e institucioneve që me sukses të përballen me këtë sfidë, kështu vlerëson në një prononcim për gazetën KOHA, gazetari dhe ish-kreu i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani.
“Bashkimi Evropian para një jave publikoi një raport urgjent lidhur me përhapjen e dezinformatave në hapësirën evropiane dhe më gjerë lidhur me pandeminë e virusit Korona. Sipas analizës së BE-së, pas këtij aksioni qëndron kryesisht Rusia dhe mediat e saj, e cila përmes përhapjes së dezinformatave përpiqet të arrijë qëllimet e saj gjeostrategjike. Qëllimi i këtij raportimi mashtrues është të përhapin defetizëm dhe panik në opinion dhe të pamundësojnë përpjekjet e institucioneve demokratike për tu përballur me pasojat e pandemisë duke shkaktuar humbjen e besimit të qytetarëve, thekson raporti. Rusët akuzohen për përhapjen e ideve të konspiracionit për paraqitjen e virusit dhe për shpërndarjen në media dhe rrjetet sociale të terapive joshkencore për trajtimin e sëmundjes apo edhe kinse zbulimet ruse të vaksinës. Ka pasur raste kur pandemia të trajtohet si grip i zakonshëm”, vlerëson Selmani.
Ata, shprehet më tej Selmani, po ashtu kanë raportuar në mënyrë propagandistike për pakënaqësinë e italianëve lidhur me mungesën e solidaritetit evropian dhe ndihmën që Rusia i ka dhënë këtij vendi duke parashikuar edhe shkatërrimin e BE-së.
“Më vjen shumë keq, që një pjesë e mediave të vendit, bile edhe ato në gjuhën shqipe, me apo pa vetëdije janë bërë viktima të këtij narativi gjatë raportimit për krizën me pandeminë. Këto narativa më shpesh i gjeni te media online në gjuhën maqedonase dhe rrjetet sociale në përgjithësi. Disa prej këtyre mediave pro opozitare kanë përqafuar plotësisht këtë strategji ruse duke atakuar çdo ditë institucionet e shtetit për të treguar se nuk janë të afta të zgjidhin krizën. Ka pasur raportime për nxitjen e frikës dhe panikut, veçanërisht lidhur me situatën në Dibër dhe kinse mungesën e grurit dhe të respiratorëve dhe pajisjes tjetër mjekësore nëpër spitale. Nuk janë përmbajtur të thurin lavde për Rusinë dhe Kinën, të cilët kanë dërguar ndihmuar vendet e prekura nga pandemia, për dallim nga vendet perëndimore që janë treguar egoiste”, thekson Selmani për KOHA.
Nga ana tjetër, thekson ai, është paraqitur edhe një dukuri tepër shqetësuese, që institucionet e shtetit ndaj çdo pyetje të vështirë të gazetarëve të përgjigjen duke akuzuar ato se po përhapin lajme të rreme. “Kjo është e papërgjegjshme dhe pamundëson median të luaj rolin e saj për informimin e saktë dhe me kohë të opinionit publik lidhur me pandeminë. Nëse vazhdon kjo qasje e institucioneve qeveritare, do tu kthehet si bumerang dhe nuk do të mund me sukses të kapërcejnë vështirësitë”, nënvizon Selmani.
Sipas Selmanit, media ka obligim informacionet ti provojë sa më shumë të jetë e mundur dhe të mos bartin përgjegjësinë duke u thirrur në burime tjera. Obligim i mediave është të provojnë edhe informacionin e huazuar nga meia tjera para se të vendos ta ribotojë. Për ribotimin e tyre mbanë të njejtën përgjegjësi para publikut dhe ligjit. (D.J/Koha.mk)