Selena Gomez ka dizajnuar një kostum të posaçëm të larjes që e fsheh mbresën e saj të transplantimit të veshkës për ta promovuar linjën e re të kostumeve të larjes të mikeshës së saj më të mirë.
25-vjeçarja pozoi në artikull, si pjesë e prezantimit të debutimit të modës së ish-asistentes së saj dhe shoqes së saj të ngushtë, Theresa Mingus, që filloi të enjten, dhe u zhvillua që t’u përshtatet llojeve të ndryshme të trupit.
Si pjesë e koleksionit, Mingus i bëri thirrje aktores dhe këngëtares t’i krijojë tri stile të limituara për kostumet Selena x Krahs Swim. Në mesin e kostumeve është një top bikini për zhytje, një bikini njëpjesësh dhe një me bel të lartë, shkruan KOHA Ditore.
“Kam kaluar vërtet kohë të mirë duke dizajnuar”, tha Gomez për revistën ‘People’. “Ishte argëtuese. Dizajnin që e bëra, njëri prej tyre ishte me bel të lartë. Kam pasur transplantim të veshkës dhe më pëlqejnë kostumet e larjes që disi e mbulojnë ku është bërë prerja – dhe më bën të ndihem rehat”.
“Çdo femër dëshiron të ndihet seksi. Çdo femër dëshiron të ndihet e sigurt dhe e bukur”, shton Mingus në një video promocionale me Gomez. “Definitivisht do të doja ta kisha një shumëllojshmëri të rrobave banje, kështu që të gjithë mund t’i veshin ato”.