Shumë hite të bukura të melosit shqip deri më tani janë realizuar pikërisht nga ai, albume të panumërta e që vazhdon të jetë aktiv në skenën shqiptare edhe pse kanë kaluar shumë vite që nga dalja e tij e parë. Selajdin Miftari vjen në një bisedë më ndryshe për gazetën KOHA duke e rikthyer paksa në kohë për të treguar më shumë rreth vetes dhe për gjeneratat e reja, të cilat nuk kanë pasur mundësi të dëgjojnë dhe lexojnë më shumë për të
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Çfarë je në gjendje të bësh me një mikrofon në dorë dhe me një publik përpara?
Sfidat e mia kanë qenë gjithmonë kur kam kënduar nëpër festivale të ndryshme para komisioneve profesionale dhe kolegëve të mi me eksperiencë.
KOHA: Je mërzitur ndonjëherë duke kënduar?
Asnjëherë nuk jam mërzitur, pasi këngën e kam edhe pasion edhe profesion. Ka periudha kur kalojnë me ditë dhe javë nuk më ngacmon apo më mirë me thënë nuk më trazon asgjë ndjenjat për të krijuar as një strofë të vetme, kurse ka periudha kur cicërima e një bilbili a kanarine më jep inspirim të krijoj që nga teksti, melodia e deri te regjia e ndonjë video klipi.
KOHA: Ka ndonjë person me të cilin nuk ke patur mundësinë të punosh, por që do të doje të punoje?
Po ka shumë persona me të cilët kisha dashur të bashkëpunoj por gjenerata apo largësia, ndoshta ka qenë ajo që ka pamundësuar bashkëpunimin, me këngëtarë të ndjerë si Bik Ndoja, Shyqeri Alushi, Isuf Myziri etj.
KOHA: Një këngë që nuk është për shijen tënde…
Nuk ka këngë të keqe por vetëm këngëtarë që nuk dinë të këndojnë.
KOHA: Si e konsideron veten në muzikë?
Si një interpretues dhe krijues i melosit tonë popullorë.
KOHA: Je dakord me muzikën që po bëhet në këto kohë, pak para nisjes së pandemisë?
Është pakashumë pyetje me shumë përgjigje, unë për vete preferoj të dëgjoj që nga muzika klasike e lehtë, popullore, rok etj. Mirëpo nuk jam dakord që mediumet: TV, radio, gazeta etj. të reklamojnë kuazi këngëtarë që nuk këndojnë shqip apo merren me muzikë të huaj. Është krim nëse unë krijoj vepra ose i vjedh të gatshme nga melosi i huaj shkaku se gjeneratat e reja do të ushqehen gabimisht me antivlera.
KOHA: Kënga më me vlerë shpirtërore që ke realizuar deri më tani?
“Do t’këndoj për ju një këngë më të bukur”.
KOHA: Një gjë për të cilën ke qenë konfuze gjatë karrierës tënde muzikore…
Po Kur e kam dëgjuar një menaxher duke ju përgjigj një kolegu: Jo nuk mundem ty të preferoj në këtë mbrëmje shkaku se e kam kushëririn tim edhe pse nuk din mirë me këndu, kushëri e kam.
KOHA: Me çfarë e ke edukuar shpirtin?
Shpirti im është i edukuar me art nga A deri në ZH.
KOHA: Nëpër cilën rrugë i ke hedhur hapat në muzikë?
Trashëgimia është rruga nëpër të cilën debitova në muzikë.
KOHA: Muzika është vetëm për veshin apo edhe për sytë?
Muzika dëgjohet dhe të shëron shpirtin.
KOHA: Çfarë është dashuria në sytë dhe në mendjen tënde?
Dashuria në sytë dhe mendjen time është pjesë apo më mirë thënë gjysma e jetës.
KOHA: Në duart e kujt do ta lije me kënaqësi zërin tënd?
Sikur të ishte materiale puna zërit do të ndaja në shumë interpretues që e duan ta këndojnë këngën shqipe.
KOHA: Në ç’pikë do të doje të përmirësoheshe?
Po do të kisha përmirësuar shifrat e viteve që kanë ikur (qesh).
KOHA: Je më i/e prirur të kapësh cilësitë e mira apo të këqija të të tjerëve?
Cilësitë e mira shkaku se të keqen as nuk e dëgjoj e as nuk e shoh.
KOHA: Një kujtim i ëmbël fëmijërie…
Lulet e para të Pranverës.