Në një ndejë me Fetain, më pati thënë: “Nuk shqetësohem shumë për dënimin sa shqetësohem për faktin që po më fusin në një thes me kriminelët…”. Miku im, krimi yt i vetëm është se fëmijët e mi akoma kanë mundësinë të thërrasin babanë e tyre dhe unë t’ju përgjigjem. Kështu e nis reagimin e tij në Facebook, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pas dënimit me 7 vite burg të Feta Alimit, policit që i shpëtoi jetën Selës natën e përgjakshme të 27 prillit në Parlament.
“Ti bëre ‘mëkatin’ e ruajtjes së jetës. Ti je në burg sepse unë jam gjallë, prandaj ti s’ka se si të jesh si ata që më deshën të vdekur. Si ata që sot janë të lirë, por me duar e me këmbë të zhytur në krim. Po po janë të lirë, biles edhe me pozicione qeveritare. Nëse dikush nëpërmjet dënimit tënd do të tregoj simbolikën se regjimi i kaluar kishte dy komponentë edhe maqedon edhe shqiptar, ti nuk je kjo simbolikë. Ti je simbolika e shqiptarit të zakonshëm që e do jetën, që e do lirinë. Ti je simbolika e shqiptarit që i montohen akoma procese politike. Je simbolika e gjyqësisë së politizuar dhe me dy standarde. Simbolika e regjimit të kaluar s’mund të jetë Fetai, por është Aliu me Nikollën. Ti dhe dënimi yt sot po që jeni simbolika e regjimit të tënishem të Aliut dhe Zoranit”, shkruan Sela.
“E rëndë sot dita Feta! Më mirë kurrë mos i kisha hapur sytë në mbrëmjen e 27 prillit sesa të jetoj këtë turp. Po, ti je fajtor. Ke fajin që unë sot ndihem me fajin e pafuqisë për të të ndihmuar. Ke fajin që jam gjallë”, përfundon reagimin Ziadin Sela.