Gostivar, 6 korrik – Koalicioni “Tash është koha” mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, mbajti tubim në fshatin Forinë të Gostivarit. Bartësi i listës kandiduese për deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore Ziadin Sela, njëherit kryetar i ASH-së, para të pranishmëve, duke sqaruar pjesë të programit zgjedhor në fillim të fjalimit të tij, u përqendrua në kufizimin e lojërave të fatit dhe tha se në njëqind ditët e para pas ardhjes në pushtet ata do të miratojnë ligj që kazino të ketë brenda hoteleve me pesë yje.
Sela premtoi se nëse ky koalicion fiton zgjedhjet, nuk do t’i rrezikohet vendi i punës asnjë shqiptari për shkak të përkatësisë partiake. Sela njëherit theksoi se ideja e BDI-së për kryeministër shqiptar është një përpjekje për të kamufluar diskriminimin dhe shtypjen e shqiptarëve.
“Nuk mund t’i kuptoje, si mund tani të kërkojnë shqiptar të jetë kryeministër? Në pushtet janë 18 vite dhe kanë marrë mbështetje dhe vota të shqiptarëve. Si nuk e kanë realizuar deri tani idenë dhe çfarë kërkojnë tani në të vërtetë”, tha Sela, duke shtuar se vjen koha e ndryshimit, me çka tha ai, pas 15 korrikut edhe Ali Ahmeti do të jetë i lirë, pasi deri më tani ka qenë i kapur herë nga VMRO e herë nga LSDM.
Duke kërkuar mbështetje në këto zgjedhje, Sela potencoi se shqiptarët duhet të votojnë për kandidatë shqiptarë, e jo për lista që janë pjesë nga, siç tha, ndonjë marrëveshje koalicioni që i shërben palës tjetër.
Në tubim fjalim mbajti edhe shefi i shtabit zgjedhor dhe sekretar i përgjithshëm i partisë Arben Taravari i cili shprehu optimizëm për fitore.
“Ndryshimi i filluar nga Gostivari do të vijojë me Likovën e deri në Strugë. Kryetar të premtoje se në Gostivar fitorja ndaj BDI-së do të jetë dy me një”, tha Taravari.
Nga foltorja u drejtuan edhe kandidatët për deputetë: Gazmend Abdia, Elhome Memedi, Afan Elezi dhe Halil Snopçe. Duke shpalosur pjesë të programit, ata premtuan se do të jenë zëri i vërtetë i shqiptarëve në kuvend, krijimin e 25.000 vendeve të lira të punës, zhvillim të barabartë të rajoneve shqiptare me ato maqedonase dhe mbajtjen e rinisë në vendlindje.