Shkup, 12 mars – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe nënkryetari i partisë Vullnet Ferati sot në selinë e ASH-së e pritën në takim zyrtar ambasadorin e Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj.
Sela, siç njofton Zyra për informim e ASH-së, i uroj ambasadorit Dedaj për funksionin e ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, duke i uruar punë të mbarë në afirmimin e raporteve bilaterale, politike dhe ekonomike mes Maqedonisë dhe Kosovës.
Në këtë takim, gjithashtu, shtohet më tej, u bisedua edhe për situatën politike në Maqedoni, për aktualitetet në Maqedoni, zgjedhjet presidenciale si dhe për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë dhe Kosovës drejt NATO-s dhe BE si objektiva kryesore të dy vendeve. Gjithashtu temë bisedimi ishte edhe situata politike në Kosovë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet elita politike në Kosovë në rrugën e integrimit dhe tejkalimit të vështirësive politike, duke ndarë mendimin se duhet gjetur zgjidhja më e mirë për interesin Kosovës dhe të qytetarëve te saj.