Shkup, 22 prill – Pasi paraditen e sotme Gjykata Penale e Shkupit i shpalli fajtor dhe i dënoi me 38 vite burg, Besir Belën dhe Skender Demirin të akuzuar për vrasjen e të riut Nikolla Sazdovski, ka reaguar kreu i Aleancës për Shqiptarë, Ziadin Sela, shkruan KOHA. Përmes një postimi në rrjetin social Fejsbuk, Sela ka parashtruar disa dilema që lidhen me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe fatin e shqiptarëve në këtë vend.
“Kush kënd do ta përkrah? Kush me cilin bën tregti e pazar? Me Stevon a me Gordanën? Po kush është me hallet e shqiptarit të zakonshëm?! Po, po sot para hundës tuaj vrasja aksidentale u dënua si vrasje mizore. Tridhjetë e tetë vite burg! Dje vrasja mizore e Almirit u trajtua si aksident trafiku dhe liri për vrasësin. Filantropi dënohet për terrorizëm e terroristi amnistohet. Në gjykata s’ka rëndësi vepra që ke bërë, por emri dhe mbiemri që mban dhe gjuha që flet. Skllevërit duhet dënuar që “qytetarët” të jenë të kënaqur”, ka shkruar Sela.
Mes tjerash ai ka theksuar se nuk ka dënim që kompenson jetën e humbur. Megjithatë, sipas tij regjimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut ende është gjallë. (koha.mk)