Shkup, 11 maj – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në një pres konferencë foli se mediave në vend po i bëhet presion dhe shantazhe për të ndaluar lirinë e fjalës. Ai mor shembull Televizionin Alsat ku Ministria e Ekonomisë nëpërmjet një vendimi të Gjykatës së Apelit ka marrë në pronësi një pjesë të hapësirave të këtij mediumi. “Gjithçka që po ndodh sot në Televizionin Kombëtar Alsat, është tendencë për të goditur lirinë e fjalës. Dhe ne bashkërisht duhet të ndërpresim këtë turp që po e bënë pushteti. Ky është shantazh, është kërcënim”, tha Sela. Ai shtoi se BDI-ja po tenton të blejë dhe media të tjera në vend. “Shqetësuese është fakti se tendencat e tjera të BDI, janë duke blerë disa mediume nëpërmjet njerëzve që deri dje ishin picajola dhe sot janë drejtorë të Lotarisë Shtetërore. Dhe i përdorin këta njerëz dhe mediume duke sulmuar opozitën duke ngulfatur lirinë e shprehjes. E fundit që ndodhi në Parlament është për lojërat fatit e iniciuar së fundmi nga BDI-ja por edhe nga deputetë e Kuvendit. Është e qartë se BDI po hyn në çdo sektor të jetës së qytetarëve”, tha Sela.