Sela: Pas ngjarjeve në fshatin Siniçan fshihet biznes bashkësia e BDI-së

133

Shkup, 30 korrik – Nuk do të lejojmë t’i hakmerret kryetarit të Bogovinës dhe qytetarëve të Siniçanit, për atë se dikush ka dashur të bëjë biznes me hidrocentralin në të njëjtin vend ku qytetarët dëshirojnë të marrin ujë të pijshëm tha sot nga Shkupi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Sipas tij qytetarët në Maqedoninë e Veriut e kanë të qartë se gjyqësia është politizuar por risia është se shteti tani po bëhet shtet policor.

“Është skandaloze prokurori t’i japë urdhër policisë që të lejojë qytetarët e Bogovinës të punojnë dhe të sigurojnë ujë të pijshëm ndërsa ata edhe sot e kësaj dite me urdhrin e Agim Nuhiut, ministër i Punëve të Brendshme, akoma rrinë atje, edhe pse banorët e Siniçanit gjatë gjithë natës kanë qëndruar atje për ta mbrojtur të drejtën e tyre të ndarë edhe nga gjyqësia. Ky duhet të jetë alarm për të gjithë qytetarët për të gjitha institucionet të cilat akoma besojnë në demokraci për të parandaluar tendenca të tilla dhe dukuri të shtetit policor. I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar të bëj gjithçka për respektimin e ligjeve në këtë shtet. Normal se nga kryetari i komunës nuk u është dhënë leje për ujë të pijshëm”, deklaroi Sela.

Prandaj pas gjithë kësaj pune theksoi fshihet edhe bashkësia e biznesit e funksionarëve të BDI-së, të cilët në vend se të punojnë, pasi e kanë marrë mandatin për sigurimin e kushteve minimale për jetesë në të gjithë rajonin e Pollogut, ata merren me punë të tilla. Njëherësh ai theksoi se edhe Tetova për dy javë në kohë pandemie dhe në kohë të së nxehtit të madh është pa ujë të pijshëm.