Tiranë, 12 shkurt – Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, duke qenë mysafir në televizionin e Tiranës Ora Njuz, tha se “partitë shqiptare në Maqedoni seriozisht mendojnë për kandidat të përbashkët presidencial”.
“Gjithsesi ai proces është në rrjedhë. Ne ndjekim se si zhvillohet situata në kampusin e shumicës. Votat shqiptare nuk duhet të rrjedhin në drejtim të kandidatëve të cilat dalin nga subjektet politike të Maqedonisë. Ne seriozisht mendojmë të kemi kandidatin tonë shqiptar, sepse shqiptarët meritojnë të votojnë për shqiptar”, deklaroi Sela, përcejllë KOHA.
Shton se ende nuk janë krijuar kushte për kandidat shqiptar, të cilin do ta mbështesin edhe partitë politike maqedonase.
“Ende nuk janë krijuar kushte të kemi kandidat shqiptar të mbështetur nga partitë politike maqedonase. Përpjekjet që i bën LSDM, gjoja duke u udhëhequr nga motoja, një shoqëri për të gjithë, para vetes e sheh idenë për trajtim të shqiptarëve si një koloni. Shqiptarët nuk marrin më shumë se katër për qind të investimeve”, tha Sela.
Ai edhe me vlerësim tha se në Maqedoni “jetojmë si dy shoqëri të ndara”.
“Atje jetojmë si dy shoqëri të ndara. Dallimet kulturore janë ato të cilat imponohen. Por edhe sot e kësaj dite, ekzistojnë shqiptarë të cilët i vuajnë dënimet me burg në procese të montuara të cilat janë nga sistemi paraprak. Për fat të keq drejtësia për shqiptarët është me dy standarde, ndërsa të mos flasim për të drejta kolektive”, vlerëson lideri i Aleancës për Shqiptarët, Sela. (koha.mk)