Shkup, 18 mars – Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk beson se do të ketë gjasa që të kthehen në Qeveri, pasi bëhet fjalë për dinjitet.
“Nuk besoj se do të ketë gjasa që të kthehemi në Qeveri, pasi bëhet fjalë për dinjitet. Por, në politikë nuk ekziston asnjëherë “jo”, por nga ana tjetër në rrethana të tilla jo”, deklaroi Sela.
Në lidhje me miratimin e Ligjit të gjuhëve, ditë më parë në Kuvend. Sipas tij mundësi për debat rreth ligjit kanë pasur të gjithë.
“Flasim se ligji është sjellë pa debat e që nuk është e vërtetë. Mundësi për debat lidhur me ligjin kanë pasur të gjithë. Harrojmë se më 2008 ishin sjellë mbi njëqind ligje, mes të cilave edhe ai për gjuhët nga aktorët e njëjtë politik dhe të cilët tani e kundërshtuan ligjin dhe kërkuan debat publik. Ju kujtohet më 2008 se si u soll ky ligj? Ky ishte reagim i panevojshëm nga ana e tyre. Pra, kjo është një lojë politike dhe patriotizëm para popullit, ndërsa nuk e kanë qëllimin aty, pasi të njëjtët aktorë kur ishte në pyetje të formohet shumica e re e pranuan të njëjtin ligj dhe nuk u pajtuan vetëm për Prokurorinë Publike Speciale. Bëhet fjalë vetëm për teatër, asgjë tjetër. Ky ligj për hir të së vërtetës duhej të sillej në vitin 2004 kur duhej të plotësohej korniza ligjore e Marrëveshjes së Ohrit, do të thotë jemi vonë 14 vjet” tha Sela në intervistën për REL.