Shkup, 8 shkurt – Deputeti Ziadin Sela sot nuk ka ardhur në seancën gjyqësore në Gjykatën Penale, e cila po zhvillohet kundër dhjetë të akuzuarve për tentimin për vrasjen e tij më 27 prill vitin e kaluar në Kuvendin e RM-së.
Edhe pse paraprakisht u paralajmërua se do të arrijë në gjykim pasi të dëgjohen dy dëshmitarët, Sela nuk erdhi dhe praninë e tij e paralajmëroi për seancën e ardhshme.
Sela përmes avokatit të tij Abedin Abduli parashtroi lutje që dëshminë ta japë në seancën e ardhshme, pasi sot gjykimi po zhvillohet ngadalë, e si lider i Aleancës të Shqiptarëve ka pasur disa obligime.
Seancat e ardhshme, gjykatësja Sllavica Andrevska i caktoi për më 19 dhe 20 shkurt, kur pritet dëshmi të japë Sela si i dëmtuar, si dhe personat ekspertë.
Avokati i Ziadin Selës në seancën e sotme kryesore kërkoi dëmshpërblim për klientin e tij me vlerë prej 30 milionë denarësh.
Mjetet që kërkohen si dëmshpërblim janë për harxhimet materiale për kurimin e Selës, si dhe për dhimbjen fizike të përjetuar, prekjen e integritetit personal dhe frikës së përjetuar.
Në seancën e sotme gjyqësore për tentimin për vrasje të deputetit Ziadin Sela, si dëshmitar i propozuar nga prokuroria para Gjkatës dëshmi dha Ordançe Sokolovski, i cili është i punësuar si montazhier në ndërmarrjen që e ka vendosur video mbikëqyrjen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Dëshmitari tha se kamerat janë vendosur gjatë rikonstruimit të Kuvendit të RM-së në vitin 2015/2016 dhe se ai ka marrë pjesë në montimin e një pjese të tyre.
Sokollovski është pyetur nga prokurori Darko Jakimovski dhe nga avokatët e të akuzuarve. Ai tha se më 28 prill vitin e kaluar ka qenë në Kuvend së që bashku me inspektorë të MPB-së të nxjerrin video incizime me kërkesë të Prokurorisë. Dëshmitari potencoi se i ka dhënë incizimet e inspektorëve të MPB-së, por se nuk ka pasur mundësi t’i shikojë.
Pasdite duhet të dëgjohet edhe dëshmitari i dytë i Prokurorisë.
Për shkak të ndërrimit të dy anëtarëve të porotës, debati kryesor sot filloi prej fillimit.
Në këtë rast akuzohet Kire dhe Cane Gjorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrevski, Aleksandar Janevski – Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Delov dhe Stojan Pavllovski – Kobra.
Për ngjarjet në Kuvendin e RM-së tashmë janë shqiptuar aktvendime gjyqësore për dy lëndë. Në të parin, nëntë persona pjesëmarrës në dhunën morën dënime me burg, ndërsa në rastin e dytë Pançe Angelov, sulmuesi i Radimilla Shekerinskës u dënua me burg prej katër vjetësh.
Në vijim është procedura hetuese edhe për lëndën që e hapi Prokuroria Publike për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues” për të cilin dyshohen 36 persona.