Dibër, 11 tetor 2017 (MIA) – Mos e jepni votën tuaj atyre që e kufizojnë lirinë e të tjerëve, atyre fjala dhe premtimi i të cilëve janë gënjeshtra. Votoni për njerëzit të cilët kujdesen për të ardhmen tuaj, për ekonomi më të mirë, kthimin e imazhit të Dibrës, porositi lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela nga tubimi i sotëm zgjedhor në Dibër. Në tubim u përfaqësua edhe kandidati për kryetar komune Arben Agolli dhe lista për këshilltarë, bartës i të cilës është Ilirjan Fetahu. Ziadin Sela foli për përkushtimin e ASH-së në kthesën e madhe politike që ndodhi në Maqedoni, falë ASH dhe gjithë antarësisë së saj, duke kontribuar drejt faktorizimit të shqiptarëve në politikë, si forcë reale. “Shembulli i zgjedhjes së Kryetarit shqiptar i Kuvendit të RM, është falë Aleancës për Shiptarët dhe anëtarësisë së ASH të cilët qëndruan stoik dhe sakrifikuan për dallim nga të tjerët që nuk ishin aty dhe ikën pikërisht në ato momente kritike, ndërsa sot nëpër fushate trumbetojnë se ata janë bartëse të proceseve të mëdha”, tha Sela. Ai poashtu tha se gjithmonë në Dibër ka gjetur dije dhe guxim, dhe Dibra dhe dibrantë gjithmonë janë karakterizuar me civilizim, kulturë dhe respekt.