Strugë, 29 prill – Grupin e Arbëreshëve nga Italia që këto ditë ndodhet për vizitë në Maqedoninë e Veriut, pas ndalesës nga policia e qytetit të Ohrit për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptarë në Kalanë e Ohrit, e ka pritur në fshatin e tij të lindjes, kreu i Alenacës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, raporton gazeta KOHA.
“Me kënaqësi pritëm vëllezërit tanë arbëreshë në Livadhi. Mes tyre ishte edhe Loris Kastrioti, pasardhës i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në Livadhi, ku heroi i ynë ka zhvilluar njërën nga betejat e tij kundër osmanëve dhe ku prehen eshtrat e dhjetra ushtarëve të tij, të rënë në Betejën e Livadhisë në vitin 1462”, ka shkruar Sela, në llogarin e tij në Facebook, transmeton KOHA.