Shkup, 14 janar – Kreu i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela ka takuar të martën ambasadorin gjerman në Shkup, Tomas Gerberih. Në takim është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, raporton KOHA.
“Temë diskutim ishin edhe zgjedhjet e 12 prillit dhe roli i partive politike për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Lideri i ASH-së, Ziadin Sela në këtë drejtim theksoi rolin e rëndësishëm që partitë kanë, si dhe përgjegjësinë që duhet partitë politike ta mbajnë për demokracinë e zgjedhjeve, që qytetarët pa dyshim të shprehin vullnetin e tyre të lirë pa u ndjerë të kërcënuar në asnjë mënyrë. Në takim theks të veçantë kryetari Sela i dha nevojës për reforma në gjyqësor, arsim, infrastrukturë, barazinë në administratë, lirinë e mediave dhe arritjen e plotë e shtetit të së drejtës. Dhe në këtë aspekt ai nga afër i tregoi të gjitha përpjekjet e Aleancës për Shqiptarët dhe rolin e saj në arritjen e stabilitetit në vend”, thuhet në njoftimin e ASH-së, përcjell KOHA.
Siç njoftojnë nga ASH-ja, qëndrimi i ambasadorit Gerberih është se vendi duhet të punojë ende shumë për arritjen e këtij qëllimi edhe më tej, si dhe për ngritjen e vendit në nivel që do të plotësonte kushtet për anëtarësim në BE. “Si çështje shumë e ndjeshme për vendin u përmend edhe migrimi i të rinjve, që sipas kryetarit Sela duhet të ndërmerren masa që do t’i tërhiqnin të rinjtë që profesionalisht të zhvillohen në vendin e tyre, duke dhënë kontributin e tyre për të mirën e të gjithëve. Kryetari Sela gjithashtu falënderoi ambasadorin për ndihmën që Gjermania i ka dhënë vendit në shumë sfera dhe mbështetjen që e njëjta jep për Maqedoninë e Veriut drejt rrugës së saj në BE”, thuhet në njoftim. (koha.mk)