Shkup, 3 janar – Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sot ka adresuar kritika të ashpra ndaj politikave të kryeministrit Zoran Zaev. Sela gjatë qëndrimit të tij në Gostivar ka theksuar se pikërisht Gostivari është qyteti i cili demanton Zaevin i cili premtoi “Një shoqëri për të gjithë” dhe “Jetë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”. Sela me këtë rast tha se kjo nuk vërehet në Gostivar, përkundrazi, Gostivari vazhdon të diskriminohet nga pushteti aktual dhe ballafaqohet me shumë probleme politike.
Në cilësinë e një kryetari edhe në opozitë, erdha të shoh qytetin e Gostivarit dhe simbolikisht përfaqësuesin e rreth 100 mijë banorëve të cilët janë të përjashtuar nga ai koncepti “Një shoqëri të përbashkët për të gjithë”, dhe në të njëjtën kohë i bëj apel kryeministrit që fjalia “shoqëri e përbashkët për të gjithë” këtu në Gostivar nuk vlen, sepse janë 100 mijë banorë të cilët i kanë lanë jashtë këtij koncepti duke vazhduar që të çojnë inate politike bashke me partnerin e tij BDI-në dhe duke lënë komunën e Gostivarit pa buxhet dhe pa perspektivë- deklaroi kryetari i ASH-së Ziadin Sela.
Ndërkohë kreu i Gostivarit, Arben Taravari derisa komentoi obstruksionet e këshilltarëve të BDI-së theksoi se këshilltarët e Alencës kanë votuar buxhetin e komunës së Tetovës për shkak se kanë vlerësuar se miratimi i buxheti shkon në të mirë të qytetarëve. Ndërsa sa u përket obstruksioneve ana e këshilltarëve të BDI-së , ai tha se pikërisht kjo bën dallimin mes Aleancës dhe BDI-së.
Këshilltarët e Aleancës mu paraqitën mua në telefon dhe më pyet edhe mua edhe kryetarin dhe më pyetën se ata votojmë, sepse edhe ata e kishin e këtë ngërçe siç e kemi dhe ne. U thash çfarë fitoni nëse e bllokoni, asgjë, atëherë u thash votojeni dhe e votuan pa kusht, pas një prapavijë kjo është ajo që na dallon neve nga BDI-ja- tha kryetari i Gostivarit Arben Taravari.
Edhe Sela bëri thirrje që këshilltarët e BDI-së të mos e bllokojnë Gostivarin sepse pasojat bien mbi qytetarët. Ai apeloi deri tek këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së që të tejkalojnë vetveten, t’i lënë anësh inatet politike dhe t’i venë interesat e qytetarëve para atyre partiake.(alsat)