Shkup, 20 tetor – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela dhe i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, dy partive opozitare, pas takimit të liderëve që sonte u mbajt në vilën “Vodno” me iniciativë të presidentit Stevo Pendarovski, deklaruan se në zgjedhjet e dakorduara të 12 prillit të vitit 2020, qytetarët do të kenë shansin që ta kthejnë shpresën tek të rinjtë, raporton KOHA.
“Ne ishim të vetmit që e zbukuruam këtë takim sepse ishim prezent bashkë më një zonjë. Ajo që tanimë është konfirmuar, më 12 prill shkojmë në zgjedhje, ne si parti ishim të gatshëm, por 12 prilli u zgjodh për arsye se deri atëherë presim anëtarësimin e vendit në NATO. Qytetarët më 12 prill kanë shans që ta kthejnë shpresën tek të rinjtë, të cilët kohëve të fundit po braktisin shtetin në pamundësi që të prosperojnë këtu”, deklaroi Sela, përcjellë KOHA.
Nga ana tjetër, kreu i Lëvizjes BESA, Biall Kasami ka theksuar se takimi ka qenë i suksesshëm, dhe se janë sjell vendime të duhura.
“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar zgjedhje të parakohshëm dhe me këtë vendim është moment i rëndësishëm që qytetarët të tregojnë orientimin e mëtejshëm. Në asnjë moment nuk duhet të vihet në pikëpyetje procesi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, që më pas në Samitin e radhës të marrim edhe datën për negociata”, theksoi Kasami. (koha.mk)