Zijadin Sela nga Aleanca e Shqiptarëve e akuzoi VMRO-DPMNE-në se duke paraqitur mbi 35 mijë amendamente për Ligjin për gjuhët i kundërvihet interesave të së paku një të tretës së qytetarëve dhe bëri thirrje për përfundimin e këtyre politikave. Ai konsideron se qëllimi i vetëm i VMRO-DPMNE-së është që të fitojë pikë politikisht. Ai konfirmon se ka informata se kur BDI-ja ka bërë negociata me partinë opozitare, ajo pranoi që të miratojë të njëjtin ligj.
Për Aleancën e Shqiptarëve, gjithashtu nuk është i pranueshëm, përkufizimi “gjuhë e cila flitet nga nga të paktën 20 për qind” nga ana e qytetarëve. “Kur bëhen negociata për emrin, me të drejtë maqedonasit nuk pranojnë tu preket identiteti, por askush nuk ka të drejtë të na prekë edhe ne për gjuhën tonë, sepse shqipja quhet gjuhë shqipe dhe nuk ka nevojë të përcaktohet me përqindje”, tha Sela duke shtuar se ai do të vazhdojë të angazhohet që shqipja të bëhet gjuhë zyrtare si ajo maqedonase.