“Kush kujt t’ia ngul hanxharen pas shpine, këtu më duket si ajo biseda llogari me hanxhiun dhe pa hanxhiun. Koalicionet para zgjedhore bëhen kur bisedohet rreth programeve dhe platformave zgjedhore deri tash nuk kemi dëgjuar për ndonjë platformë dhe program. Më shumë preokupohen me kushtëzime dhe nënçmime se sa me platforna dhe programe partiake për zgjedhje”, thonë njohësit e zhvillimeve politike duke folur mbi koalicion e (pa)mundshëm opozitar
Destan JONUZI
Shkup, 27 janar – Dy partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA edhe më tej mbetën në qëndrimin se janë të hapur dhe pro koalicionit trepalësh në të cilin do të përfshihet edhe partneri i vogël i koalicionit Qeveritar LSDM-BDI, Alternativa e Gashit. Edhe përkundër faktit se dy partitë opozitare kanë gatishmëri për ta future në koalicion një parti e cila është pjesë e ekzekutivit, kjo e fundit kushtëzon pjesëmarrjen me përjashtim nga bashkimi njërën nga dy partitë opozitare. Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në takim me qytetarët e Kërçovës mbrëmjen e së shtunës mes tjerash ka folur edhe për mundësinë e krijimit të koalicionit trepalësh BESA, ASH dhe Alternativa. Ai madje ka theksuar se partia e tij mbetet e hapur dhe e gatshme për arritjen e këtij koalicioni pa përjashtuar asnjërën palë nga procesi. “Mbetemi të përkushtuar në formimin e koalicionit trepalësh me të cilin do ta fitojmë bindshëm BDI-në, por ne si parti po ashtu jemi të gatshëm që të shkojmë edhe vet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në rast se nuk formohet koalicioni”, ka thënë në fjalën e tij para kërçovarëve Kasami. Edhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela, pikërisht nga Kërçova më 15 janar është zotuar se mbetet i përkushtuar në krijimin e koalicionit trepalësh. “Vazhdojmë te punojmë në jetësimin e koalicionit trepalësh. Në të njëjtën kohë vizitojmë dhe konsolidojmë strukturat tona partiake, kemi prurje te reja dhe Aleanca në çdo vendbanim shqiptar shihet si shpresa e ndryshimit të madh”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
Analisti Albert Musliu vlerëson se sa më shumë prolongohet krijimi i bllokut opozitar shqiptarë, aq më shumë komplikohet mundësia për një koalicion më të gjerë opozitar. “Vendimi final sa më shumë prolongohet, aq më shumë komplikohen mundësitë e një koalicioni më të gjerë. Nga ana tjetër oponentët e këtij koalicioni veprojnë në pamundësimin e koalicioni. Por, nëse i tejkalojnë dallimet edhe çështjet personale, gjithsesi se është i mundshëm ky koalicion, por sa më gjatë zvarritet, aq më rëndë bëhet”, deklaroi për KOHA, Musliu. Sipas tij, këtu nuk ka të bëjë fare ideologjia, pasi që të gjitha partitë shqiptare janë të qendrës së djathtë, por se është punë numrash dhe analizash. Në anën tjetër, profesori universitar Mitasin Beqiri vlerëson se nga këto bisedime për koalicion trepalësh nuk ka asgjë. “Kush kujt t’ia ngul hanxharen pas shpine, këtu më duket si ajo biseda llogari me hanxhiun dhe pa hanxhiun. Koalicionet para zgjedhore bëhen kur bisedohet rreth programeve dhe platformave zgjedhore deri tash nuk kemi dëgjuar për ndonjë platformë dhe program. Më shumë preokupohen me kushtëzime dhe nënçmime se sa me platforma dhe programe partiake për zgjedhje”, shprehet Beqiri.
Analistët janë të mendimit se gjithë kjo zvarritje e procesit të krijimit të bllokut opozitar shqiptarë shkon në llogari të BDI-së, pasi që me këtë zvarritje opozita ngec në afirmimin e platformës së saj të përbashkët, politikave alternative ndaj BDI-së dhe ndërtimin e një fushate të fuqishme me të cilën do ta sfidonte dhe fitonte BDI-në e Ali Ahmetit. Parlamenti shpërbëhet me 12 shkurt dhe nga këtu shpallen edhe zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. (koha.mk)