Shkup, 24 shkurt – Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi sot përmes një pres konference në Parlament, e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës për rastin “Monstra” si skandaloz. Liderët e partive opozitare shqiptare thonë si ky rast paraqet proces të montuar politik.
“Skandaloz vendimi ashtu siç pritej vendimi i Gjykatës Themelore në Shkup në lidhje me procesin e montuar politik të Monstrës. Qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar dhe duhet të shqetësohen, sepse jetojmë në një shtet që udhëhiqen nga një kryeministër për të cilin fjala publike nuk kishte pasur asnjë vlerë”, potencoi Sela.
Ai shtoi se Kryeministri Zaev premtoi që do të zbardhen proceset e montuara, premtoi edhe për “Monstrën”, por nuk e bëri dhe tani sipas tij ka ardhur momenti të ikë.
Ndërsa Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se gjyqësori ka dështuar plotësisht lidhur me zbardhjen e tërësishme të rastit.
“Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur pas gjykimit skandaloz që ndodhin me rastin e montuar “Monstra”. Në këtë proces të montuar politik, unë mund të konstatoj lirshëm se shteti dhe gjykatat e këtij vendi kanë dështuar plotësisht që ta sjellin drejtësinë dhe të shpalosin të vërtetën”, theksoi Gashi.