Sela e Gashi i thonë PO ftesës së Ahmetit, por nga e hëna e ardhshme

242

Shkup, 12 gusht – Pas ftesës së pranuar nga ju për një takim të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare, dëshirojmë t’ju përgjigjemi se koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa parimisht është dakord për një takim të tillë. Kështu thuhet në letrën publike që dy liderët e koalcionit ASH-AAA, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi ia kanë adresuar liderit të BDI-së, ndërsa kanë kërkuar që takimi i tryezës së përbashkët të realizohet nga dita e hënë tutje, me rend dite konkrete.
“Ne mendojmë se mekanizmi politik i Tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe, si i tillë, mendojmë se duhet të vazhdojë të kultivohet për artikulimin e interesave shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në funksion të një takimi përmbajtjesor dhe të frytshëm, do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë për arsyen e organizimit të takimit të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare”, shkruajnë Sela dhe Gashi.
Në këtë drejtim, vijon më tej letra, konsiderojeni mundësinë e një date tjetër duke nisur nga e hëna (17.08.2020) e tutje, sigurisht duke na njoftuar disa ditë më herët me rendin e ditës së takimit. (koha.mk)

Comments are closed.